Italia në izolim total gjatë festave, Conte: Situata është e vështirë në mbarë Evropën

Italia do të hyjë në një izolim kombëtar për periudhën dërrmuese të pushimeve gjatë Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

Lajmin e bëri të ditur kryeministri Giuseppe Conte, qeveria e të cilit po punon për të parandaluar një rritje të rasteve me coronavirus.

Njoftimi i dha fund dilemave që ekzistonin brenda koalicionit qeveritar, i ndarë mes atyre që duan një izolim total dhe atyre që i mëshojnë kufizimeve më të lehta për të ndihmuar bizneset dhe për të lejuar familjet të bashkohen për festa.

 “Situata është e vështirë në mbarë Evropën. Virusi vijon të qarkullojë kudo. Ekspertët tanë ishin të shqetësuar se do të ketë një rritje të rasteve për Krishtlindje. Ndaj na u desh të vepronim, por ju siguroj se nuk ishte një vendim i lehtë”, u shpreh Giuseppe Conte.

Në kuadër të rregullave të reja, dyqanet e panevojshme do të mbyllen mes datave 24-27 dhjetor, 31 dhjetor-3 janar dhe 5 deri në 6 janar.

Sidoqoftë, vizita të kufizuara do të lejohen; si për shembull për të takuar njerëzit e moshuar që jetojnë vetëm. Conte tha se policia nuk do të dërgohet në shtëpitë e qytetarëve për të kontrolluar që rregullat të zbatohen, por u bëri thirrje italianëve të tregohen të përgjegjshëm.

Të Fundit