Rasti i rëndë i ndodhur në Kërvasari të Malishevës ka marrë një tjetër zhvillim. Egzon Bytyqi, i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Jetlira Foniqi, ka vdekur disa ditë pas ngjarjes.
Sipas Policisë së Kosovës, Bytyqi ndërroi jetë më 27 gusht, rreth orës 17:15. Ai po hetohej për veprën penale “Vrasje e rënduar”, pas ngjarjes së 23 gushtit në fshatin Kërvasari.
Lajmin e ka konfirmuar Sheremet Elezaj, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës.
“Procedurat hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë në koordinim me prokurorin kompetent”, tha Elezaj.
Vdekja e të dyshuarit vjen katër ditë pas rastit që shkaktoi reagime të forta në Kosovë. Vrasja e Jetlira Foniqit riktheu diskutimet për dhunën në familje dhe sigurinë e grave përballë rasteve të përsëritura të dhunës së rëndë.



