Vrasja e qenve endacake, bashkia e Tiranës tenderon miliona për sterilizim 4 korrik 2018

Në fund të muajit Prill emisioni “Stop” ngriti shqetësimin e ambientalistëve dhe animalistëve, për vrasjen e qenve endacakë nga ana e Bashkisë së Tiranës.

Sazan Guri dhe aktivistë të tjerë kishin siguruar edhe video, që provonin vrasjen e qenve nga klinika veterinare Kombinat, për t’u hedhur më pas në varrezat e Sharrës. E ndërsa veterinerja e kësaj klinike Hermiona Hajdini flet për video-montazh, “Stop” sjell prova të ambienteve të padezinfektuara, të kafazëve të mbushur me qen e njolla gjaku.

Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes.”Stop” sjell me dokumente, se Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit ka zhvilluar dy tendera për sterilizimin e qenve endacakë. I pari është bërë në tetor 2016 me vlerë 9.5 milionë lekë dhe i dyti në Prill 2017 me 20 milionë. Pritej që të sterilizoheshin 6 500 qen. Herën e parë kostoja e sterilizimit të një qeni ishte 30 mijë lekë te vjetra, por në tenderin e dytë, shkoi në 50 mijë lekë. Emisioni “Stop” bleu të gjitha materialet e duhura dhe i rezultoi, se kostoja e sterilizimit të një qeni ishte 7 mijë lekë të vjetra.

Në datën 24 Prill Shoqata e Mbrojtjes së Kafshëve përfaqësuar nga Sazan Guri, publikoi video ku shihej me zë dhe me figurë vrasja e qenve endacakë nga klinika veterinare, një klinikë në varësi të Bashkisë së Tiranës.

Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit ka zhvilluar dy tendera të cilat lidhen me sterilizimin e qenve endacakë në kryeqytet, tenderi i parë është prokuruar në Tetor të 2016-ës me vlerën 95 milion lek të vjetra, ndërsa tenderi i dytë në Prill të 2017-ës, me shumën rreth 200 milion lekë të vjetra.

Nga të dhënat e numrit të matrikullave ne kuptojmë që këto tendera do të sterilizojnë në total 6500 qen endacakë në kryeqytet.

Hije dyshimi ka edhe për listën e medikamenteve dhe materialeve që janë tenderuar nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, në varësi të Bashkisë Tiranë, në tenderi e 2016-ës. Numri i shiringave është i dyshimtë në raport me numrin e qenve endacakë, që është parashikuar për t’u sterilizuar, duke marrë si referencë numrin e matrikullimeve.

Numri i madh i qeseve të zeza përsëri i dyshimtë pasi fakti nuk konfirmohet se pse klinikës veterinare i duhet një numër kaq i madh i qeseve të zeza.

Medikamenti eutanazia i cili është tenderuar në dy tendera, atë të 2016 dhe 2017, nuk është i regjistruar dhe licensuar nga Ministria e Drejtësisë.

Në tenderin e 2016 emisioni “Stop” ka bërë një përllogaritje se sa para ka shpenzuar bashkia për matrikullimin e një qeni. Duke pjesëtuar shumën që është tenderuar me numrin e qenve të matrikulluar rezulton se është shpenzuar 30 mijë lek të vjetra për një qen.

Duke kryer të njëjtat përllogaritje në tenderin e vitit 2017, rezulton se janë shpenzuar rreth 50mijë lek të vjetra për një qen. Pra diferenca nga njëri vit në tjetrin është 20 mijë lek të vjetra.

Por sa është shuma reale e sterilizimit të një qeni?

Emisioni “Stop” i është drejtuar një sërë farmacish veterinare, ku ka blerë të njëjtat medikamente.

Duke u konsultuar me specialistë të fushës, në departamentin e veterinarisë në Universitetin Bujqësor, emisioni “Stop” ka blerë medikamente dhe materiale që nevojiten për sterilizimin e një qeni endacak apo një qeni shtëpie duke filluar nga anestezia, leukoplasti dhe medikamente të tjera që nevojiten dhe shuma rezulton të jetë vetëm 653 lekë.

Pse Bashkia e Tiranës ka paguar 30 dhe 50 mijë lekë të vjetra për sterilizimin e një qeni, ne jemi koshientë që këta qenë nuk po sterilizohen dhe si për ironi të fatit kemi një tjetër tender në maj të 2018-ës, me një tjetër shumë: 220 milion lekë të vjetra për sterilizimin e qenve.

Gazetari: Kemi konstatuar këtu një mund ta quaj vjedhje në tenderat që janë për këto…

Hermiona Hajdini: Tashi futja kot vjedhje!

Gazetari: Ta analizoj unë këtu.

Hermiona Hajdini: Shko, dëgjo, të lutem, ju lutem tani mund të flisni me…Ja prisni pak që të flas unë me…

Gazetari: Po s’është halli të flasë se unë i kam këto tenderat që janë bërë për 2016, 2017…dhe nuk na del llogaria zonjë.

Hermiona Hajdini: Patjetër që do merrni një përgjigje.

Gazetari: Jo e dua ta analizoj me ty tani.

Hermiona Hajdini: E do, po unë s’jam ekonomiste.

Versioni i animalistëve ka baza të arsyetueshme kur thotë që Bashkia e Tiranës, po vret qentë endacakë.

Klinika veterinare dhe Bashkia Tiranë, në korridoret e kësaj klinike shohim qen të vrarë, dhe veterinerin e kësaj klinike, i cili po injekton në zemrën e një qeni medikamentin vrastar.

Dyshohet se është acid klorhidrik, nga shishja me ngjyrë të kuqe në tavolinën përbri, ku është edhe shefja e klinikës, veterinerja Hermiona Hajdini.

Qese të zeza të mbushura plot, ku dyshohet se ka qen të vrarë. Në korridoret e klinikës veterinare, kudo ka qen të vrarë, të shpërndarë as andej këndej, veterinerët që bëjnë gati kutitë e kartonit, për t’i transportuar dhe si gjithmonë prezentë është edhe shefja e klinikës, veterinerja Hermiona Hajdini që jep si gjithmonë urdhra.

Atëherë lind pyetja pse kjo bashki, ka prokuroruar tre tendera, me shumën totale 500 milion lek të vjetra për sterilizimin e qenve endacakë, ku ndërkohë kemi fakte edhe prova që këta qen po vriten.

Të Fundit