Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me shqiptarët në Michigan, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka folur për zhvillimet në Shqipëri, procesin e integrimit europian, protestat e fundit, si dhe marrëdhëniet me Kosovën.
Duke komentuar protestat, Rama tha se shqiptarët tashmë jetojnë me pritshmërinë se gjërat mund të bëhen edhe më mirë. Sipas tij, kjo rritje e pritshmërive është tregues i ndryshimit të Shqipërisë, të cilën e përshkroi si një vend jo më të mbijetesës, por të shpresës.
“Shqiprtarët tani jetojnë me idenë se ‘mund të ketë edhe më mirë’. Kjo shprehje, rritja e pritshmërive tregon vetë Shqipërinë e re, që kërkojnë edhe ata persona që dalin në bulevard. Ne nuk jemi tani një vend mbijetese, por një vend shprese”.
Rama u ndal edhe te procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai deklaroi se janë hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe se puna tashmë është përqendruar te mbyllja e tyre.
“Shqipëria po bën hapa përpara në procesin e integrimit europian. Janë hapur të gjitha kapitujt dhe po punojmë për të mbyllur ato. Shqipëria në BE në vitin 2030 do të jetë realitet faktik”.
Kryeministri komentoi gjithashtu vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rama tha se Shqipëria nuk mund të bëjë gjë tjetër përveçse të jetë në krah të shtetit të Kosovës.
Në fjalën e tij para shqiptarëve në Michigan, Rama vlerësoi edhe rolin e diasporës shqiptare, duke e cilësuar atë si një burim të rëndësishëm energjie dhe mbështetjeje për Shqipërinë.
“Diaspora shqiptare është një det i madh energjie, që po dhuron shumë për vendin amë, Shqipërinë. Diaspora është ajo, që ka ndihmuar familjet në Shqipëri dhe vijon ta bëjë këtë rol në mënyrë të pandërprerë. Mirënjohës pa fund”, deklaroi Rama.
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të pjesëmarrjes në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Gjatë vizitës, Rama shoqërohet nga bashkëshortja Linda Rama dhe delegacioni zyrtar shqiptar.
Në New York, Kryeministri do të marrë pjesë në hapjen e Debatit të Përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku pritet t’u drejtohet të pranishmëve me një fjalë.
Agjenda e vizitës përfshin gjithashtu pjesëmarrjen në pritje zyrtare, aktivitete të nivelit të lartë dhe takime me përfaqësues të politikës, ekonomisë dhe organizatave ndërkombëtare.



