Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka përcjellë një mesazh me rastin e nisjes së vitit të ri akademik, duke uruar studentët dhe pedagogët për një vit sa më të suksesshëm.
Në mesazhin e tij, Kreu i Shtetit u bëri thirrje të rinjve që ta shfrytëzojnë këtë periudhë me përkushtim për formimin e tyre profesional. Begaj theksoi se investimi në arsim dhe dije përbën një nga investimet më të sigurta për zhvillimin e shoqërisë dhe të vendit.
Presidenti vlerësoi gjithashtu rolin e universiteteve në formimin e brezave të rinj, jo vetëm në aspektin profesional, por edhe në përgatitjen e qytetarëve që do të kontribuojnë në të ardhmen e vendit.
“Sot nis një vit i ri akademik, një udhëtim i ri përkushtimi dhe sfidash për studentët dhe pedagogët”, u shpreh Begaj.
Ai uroi studentët që të kenë “kurajë për të ëndërruar, disiplinë për të punuar fort dhe besim për të arritur suksesin”.
Në përfundim, Presidenti uroi një vit akademik të mbarë dhe plot mundësi të reja për studentët dhe pedagogët



