Viti i ndryshimeve në rrjetet sociale, Twitter shkoi, Threads erdhi… IA hyri në lojë

E humbëm Twitter-in dhe e fituam X-in. I provuam Bluesky-in dhe Mastodon-in (epo, disa nga ne e bëmë). U shqetësuam për ‘bot’-ët e inteligjencës artificiale (IA) dhe për shëndetin mendor të të rinjve. Kaluam kohë në biseda private online dhe u sorollatëm pafundësisht nëpër rrjete sociale siç bënim edhe në vitet e kaluara. Për përdoruesit e rrjeteve sociale, viti 2023 ishte një vend i fillimeve dhe i mbarimeve.

Më poshtë mund t’i lexoni disa prej ndodhive më të mëdha në rrjetet sociale më 2023 – si dhe çfarë të presim vitin e ardhshëm:

Lamtumirë Twitter
Para pak më shumë se një viti, Elon Musk u fut në zyrat qendrore të Twitter-it në San Francisko, e shkarkoi shefin ekzekutiv të tij dhe shefat e tjerë të lartë, duke e nisur shndërrimin e platformës së rrjetit social në atë që sot njihet si X.

Musku e zbuloi logon e X-it në korrik. Ai e ndryshoi shpejt emrin e Twitter-it dhe ikonën e kaltër të zogut, online dhe në zyrat qendrore të kompanisë në San Françisko.

“Dhe, së shpejti, ne do t’i themi lamtumirë markës së Twitter-it dhe, dalëngadalë, të gjithë zogjve”, shkroi Musk.
Për shkak të natyrës publike dhe për shkak se tërhiqte figura publike, gazetarë dhe përdorues të tjerë të profilit të lartë, Twitter-i gjithmonë ka pasur ndikim të madh në kulturën popullore – por ky ndikim duket se po shkon drejt shuarjes.

Kishte shumë telashe edhe para se Musku ta merrte në dorë, ishte një markë e dashur me një rol të qartë në mjedisin e rrjeteve sociale”, tha Jasmine Enberg, analiste rrjeteve sociale në Insider Intelligence.

Prej se u ble nga Musk, X-i është bombarduar me akuza për keqinformim dhe racizëm, ka pësuar humbje të mëdha financiare dhe rënie në përdorim. Musku tha se reklamuesit të cilët u tërhoqën ishin të përfshirë në “shantazh” dhe u kërkoi atyre të “zhdukeshin”.

Duke i mirëpritur përdoruesit të cilët ishin pezulluar nga ish-Twitter për shkak të gjuhës së urrejtjes, apo përhapjes së keqinformimit, në dhjetor, Musku ia ktheu llogarinë teoricienit konspirativ Alex Jones, duke u bazuar në një sondazh joshkencor që e kishte bërë me ndjekësit e vet. Jones e kishte cilësuar vazhdimisht si të rremë sulmin me të shtëna në shkollën Sandy Hook më 2012.
LGBTQ dhe organizata të tjera që përkrahin grupet e margjinalizuara, ndërkohë, kanë alarmuar se X-i po bëhet vend më i pasigurt. Në prill, për shembull, X-i e hoqi në qetësi një rregullore e cila i mbronte transgjinorët. Në qershor, grupi avokues GLAAD e quajti atë si “platformën më të rrezikshme për njerëzit LGBTQ”. GLSEN, një grup edukues i LGBTQ, njoftoi në dhjetor se po largohet nga X-i, duke iu bashkuara edhe grupeve të tjera.

Përshëndetje X, Threads dhe Bluesky
Ndër ambiciet e Muskut për X-in është edhe shndërrimi i kësaj platforme në një “aplikacion për gjithçka” – sikurse WeChat në Kinë, për shembull. Puna është se nuk dihet nëse audiencat në SHBA dhe Perëndim janë të etura për një ide të tillë. Edhe vetë Musku është i paqartë për hollësitë.

 

Derisa X-i po vuan nga një krizë e identitetit, disa përdorues janë në kërkim të një zëvendësuesi. Mastodon ishte njëri nga kandidatët, bashkë me Bluesky, i cili doli nga Twitter në fakt.

Të Fundit