Mashtroi 54-vjeçarin duke u hequr si zyrtar publik, i riu arrestohet duke marrë 1 milion euro

Një 25-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se tentoi t’i merrte 1 milion euro një 54-vjeçari, duke u prezantuar në platformat e komunikimit online si funksionar publik.

Policia bën me dije se arrestimi i të riut, me inicialet A.M, u realizua në flagrancë, në momentin kur po merrte shumën e parave nga 54-vjeçari.

Ngjarja u zbulua pas denoncimit të këtij të fundit, i cili kishte dyshime se po mashtrohej përmes përdorimit të identitetit të një zyrtari publik në platformat online.

Në kuadër të hetimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, organizuan operacionin e koduar “Request”, i cili çoi në arrestimin e 25-vjeçarit.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rast, si dhe në raste të tjera të ngjashme me të njëjtën skemë mashtrimi.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim.

Të Fundit