Bota po shkel një prag kyç të ngrohjes me një ritëm që shqetëson shkencëtarët. Në rreth një të tretën e ditëve të vitit 2023, temperatura mesatare globale ishte të paktën 1.5C më e lartë se nivelet para-industriale.
Sipas BBC, qëndrimi për një kohë të gjatë nën këtë tregues konsiderohet gjerësisht thelbësor për të shmangur ndikimet më të dëmshme të ndryshimeve klimatike. Por viti 2023 është “në rrugën e duhur” për të qenë viti më i nxehtë në histori, dhe 2024 mund të jetë edhe më i nxehtë.
“Është një shenjë se ne po arrijmë nivele që nuk kemi qenë më parë”, thotë Dr Melissa Lazenby, nga Universiteti i Sussex.
Hera e parë që kjo ndodhi në epokën moderne ishte për disa ditë në dhjetor 2015. Që atëherë, shifrat kanë ardhur në rritje. Në vitin 2016, e ndikuar nga një fenomeni natyror El Niño, një ndryshim natyror klimatik që tenton të rrisë temperaturat globale, bota pa rreth 75 ditë që shkuan mbi atë nivel.
Por analiza e BBC-së e të dhënave nga Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Copernicus tregon se, deri më 2 tetor, rreth 86 ditë në 2023 kanë qenë mbi 1.5C më të ngrohta se mesatarja para-industriale. Kjo e thyen rekordin e vitit 2016.
Ekziston njëfarë pasigurie në numrin e saktë të ditëve që kanë kaluar pragun 1.5C, sepse numrat pasqyrojnë një mesatare globale që mund të vijë me mospërputhje të vogla të të dhënave. Por diferenca me të cilën 2023 ka kaluar tashmë shifrat e 2016-ës, dëshmon se rekordi tashmë është thyer.
Oqeanet e botës gjithashtu kanë përjetuar temperatura jashtëzakonisht të larta këtë vit, duke lëshuar nxehtësi të mëtejshme në atmosferë.
“Oqeani Atlantik i Veriut është më i ngrohti që kemi regjistruar ndonjëherë, dhe nëse shikoni Oqeanin Paqësor të Veriut, ka një ujë të ngrohtë anomalisht që shtrihet nga Japonia në Kaliforni”, tha Dr Jennifer Francis nga Ëoodëell Climate Research.
Ndërsa emetimet e gazeve serrë po rrisin temperaturat mesatare, arsyet e sakta pse këto temperatura të detit janë rritur nuk dihen plotësisht
Një teori, e cila është ende e vërtetuar, është se rënia e ndotjes së ajrit nga transporti përmes Atlantikut të Veriut ka reduktuar numrin e grimcave të vogla dhe ka rritur ngrohjen.
Një faktor tjetër ndoshta më pak i njohur është situata rreth Antarktidës. Ka pasur shqetësime të vazhdueshme për gjendjen e akullit të detit rreth kontinentit më të ftohtë, me të dhëna që tregojnë nivele shumë më të ulëta se çdo dimër i mëparshëm.
Por sipas disa ekspertëve, dy rritje të temperaturës në muajt e fundit në Antarktidë, të shkaktuara nga ndryshueshmëria natyrore, kanë rritur mesataren globale. Megjithatë, është e vështirë të identifikohet ndikimi i saktë i ngrohjes afatgjatë të shkaktuar nga njeriu.