Dyshime për hetim selektiv në Ksamil: A u la jashtë verifikimeve kushëriri i prokurores?

Emisioni “Stop” ka denoncuar në disa raste mënyrën se si prokurorja Esmeralda Basho ka trajtuar çështje të ndryshme, duke ngritur pikëpyetje mbi standardin e hetimeve të zhvilluara prej saj. Edhe hetimi për ndërtimet pa leje në zonën e Ksamilit po ngre disa pyetje që kërkojnë përgjigje.

Nga hetimet e kryera nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë dhe të prokurores së çështjes Esmeralda Basho, rezulton se janë konstatuar një numër i konsiderueshëm ndërtimesh pa leje dhe punimesh të dyshuara si të paligjshme në disa zona, përfshirë edhe Ksamilin.

Megjithatë, ndërsa hetimi është përqendruar te disa persona dhe subjekte, mbetet e paqartë përse nuk janë verifikuar edhe strukturat vendore që kanë pasur detyrimin ligjor për të konstatuar, parandaluar dhe raportuar këto ndërtime.

Sipas informacioneve të administruara nga palët e interesuara, në Policinë Bashkiake të Ksamilit ushtron detyrën Ardjan Basho, për të cilin pretendohet se është djali i xhaxhait të prokurores Esmeralda Basho. Po sipas këtyre informacioneve, ai e ushtron këtë funksion prej rreth dy vitesh, pikërisht në territorin ku janë konstatuar ndërtimet e dyshuara si të paligjshme.

Në këto rrethana lind pyetja: a është verifikuar edhe përgjegjësia e punonjësve të Policisë Bashkiake që kanë pasur detyrimin funksional për të evidentuar dhe raportuar këto shkelje?

Policia Bashkiake ka detyrime të qarta ligjore për konstatimin e ndërtimeve pa leje, parandalimin e tyre, njoftimin e institucioneve përgjegjëse dhe ndërhyrjen për mbrojtjen e territorit, pronës dhe mjedisit.

Nëse për një periudhë të gjatë kohore në të njëjtën zonë janë kryer ndërtime të paligjshme, atëherë hetimi duket se duhet të verifikojë jo vetëm autorët e dyshuar të ndërtimeve, por edhe përgjegjësinë e çdo funksionari publik që ka pasur detyrë ligjore t’i evidentojë dhe t’i ndalojë.

Mosverifikimi i rolit të Ardjan Bashos, nëse konfirmohet se ai ka ushtruar detyrën në këtë territor dhe duke pasur parasysh lidhjen familjare të pretenduar me prokuroren e çështjes, mund të ngrejë pikëpyetje mbi plotësinë dhe paanshmërinë e hetimit.

Nëse këto rrethana rezultojnë të vërteta, atëherë çështja nuk lidhet vetëm me ndërtimet pa leje, por edhe me nevojën për të garantuar që hetimet të zhvillohen pa asnjë dyshim për trajtim selektiv apo konflikt interesi dhe që çdo person me përgjegjësi institucionale të trajtohet sipas të njëjtit standard ligjor.

Të Fundit