Video/ Shoferët me shpejtësi ‘skëterrë’, Ardi Veliu në terren në mesnatë

Policia e Shtetit ka shtuar kontrollet në rrugët e vendit pas aksidentit tragjik të pak ditëve më parë në autostradën Fier-Vlorë, ku humbën jetën 4 anëtarët e një familjeje nga Patosi.

Gjatë mbrëmjes së kaluar, ka qenë në terren edhe kreu i policisë së Shtetit, Ardi Veliu i cili ka inspektuar nga afër funksionimin e radarëvë në disa akse rrugore shkeljet e shoferëve .

Veliu ka komunikuar drejtpërdrejt me punonjësit e Policisë Rrugore që kryejnë shërbim me radar dhe me patrullat e tjera të policisë rrugore ku u ka kërkuar tolerancë zero, të mos tolerohet asnjë rast i shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor që janë burim potencial për përfshirje në aksidente me pasoja për jetën.

Gjatë inspektimit tek mbikalimi në rrugën interurbane Tiranë- Elbasan, në segmentin Sauk-Teg te mbikalimi, Veliu ka parë nga afër disa shkelje të përdoruesve të rrugës që qarkullonin me shpejtësi nga 133 km/orë deri në 170 km/orë.

Veliu ka deklaruar se brenda pak ditësh do jenë në dispozicion të Policisë Rrugore edhe 4 radarë të tjerë, kamera dhe mjete të pauniformuara për të patrulluar në të gjitha akset rrugore kryesisht në ato ku janë konstatuar edhe akisdente me pasoja fatale për jetën, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e çdo shkelësi të kodit rrugor, kryesisht me shpejtësi tej normave të lejuara, parakalime të gabuara, manovra të rrezikshme në rrugë, drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, mosvendosje të rripit të sigurimit dhe kaskës mbrojtëse si dhe shkelje të semaforit.

Të Fundit