Ulje page me 40% për një vit, merren masat disiplinore ndaj dy gjyqtarëve

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka vendosur masë disiplinore ndaj dy gjyqtarëve, Bujar Musta, Ramazan Avdiu me ulje page deri në 40% për 1 vit.

Procedimi disiplinor ndaj gjyqtarit Musta lidhet me gjykimin e çështjes të regjistruar në vitin 2009, që i përket padisë së 19 paditësve me objekt lirim dhe dorëzim sendi. Vlen të theksohet, se kjo çështje civile është ende në proces gjyqësor në Gjykatën Elbasan, por nuk vijon nga gjyqtari Musta i pezulluar nga detyra për shkak të shkarkimit nga KPK në shtator 2021, në pritje të vendimmarrjes finale nga KPA.

“Vonesat e gjyqtarit B.M., përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke sjellë si pasojë të drejtpërdrejtë zvarritjen e pajustifikuar të çështjes gjyqësore, (ende në proces), për një afat mbi 12 vite, 5 muaj e 19 dite, duke mos marrë masat e duhura me karakter procedural për përfundimin e kësaj çështje civile brenda një afati të arsyeshëm”- thuhet në njoftim.

Ndërkohë Procedimi disiplinor ndaj gjyqtarit Ramazan Avdiu lidhet me çështjen gjyqësore të vitit 2014, ku paditësi H.SH. ka kërkuar ndryshimin e vendimit të vitit 1995, të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish Pronarëve të Rrethit Gramsh.

Nga hetimi disiplinor rezulton se:

Vonesat e gjyqtarit subjekt hetimi disiplinor, përbëjnë një mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke sjellë si pasojë të drejtpërdrejtë zvarritjen e pajustifikuar të çështjes gjyqësore, për një afat nga 5 vite, 4 muaj e 2 ditë, duke mos marrë masat e duhura me karakter procedural për përfundimin e çështjes civile, brenda një afati të arsyeshëm.

Sjellja e gjyqtarit Avdiu, pas momentit të  pezullimit të  çështjes civile, ka ndikuar dukshëm në moskryerjen e veprimeve procedurale me karakter urdhërues që lidhen me verifikimin e rënies të shkakut të pezullimit dhe ajo që është më e rëndësishme ringritjes dhe rifillimit të shqyrtimit gjyqësor menjëherë pas rënies të shkakut të pezullimit në bazë të nenit 298 të K.Pr.Civile.

Nga hetimi disiplinor konkludohet se veprimet e ndërmarra nga ana e magjistratit R.A., hyjnë në kategorinë e “Shkeljes të lehtë disiplinore” dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë i kërkon Këshillit të Lartë Gjyqësor të pranojë propozimin për masën disiplinore “Vërejtje publike” për magjistratin.

Të Fundit