Ujërat e zeza ndotin plazhin në Shkëmbin e Kavajës, pushuesit kërkojnë ndërhyrje

Bregdeti i Durrësit po pret çdo ditë e më shumë pushues vendas, turistë të huaj dhe bashkatdhetarë. Megjithatë, përtej promovimit që i bëhet në arenën ndërkombëtare si një destinacion turistik, realiteti në disa zona të plazhit mbetet shqetësues.

Në zonën e Shkëmbit të Kavajës, aty ku çdo ditë frekuentohet nga qindra pushues, panorama që ofrohet është një det i ndotur nga derdhja e ujërave të zeza, duke u bërë burim infeksioni për pushuesit dhe duke dëmtuar imazhin e bregdetit.

“Plazhi ka shumë papastërti. Ky kanal duhet të hiqet, ka vite që është kështu. Deti ka shumë ndotje, është shumë rrezik për shëndetin. Këtu nuk funksionon shteti. Pisllëk po, taksat e qytetarëve merren dhe i hanë agallarët atje”, është shprehur një pushues.

Sipas disa të tjerëve, problemi i kanalit që derdh ujërat e zeza në det vazhdon prej vitesh dhe situata bëhet edhe më shqetësuese gjatë sezonit veror, kur plazhi frekuentohet nga mijëra persona çdo ditë.

“Problem është ky kanal. Janë edhe njerëzit e papërgjegjshëm që hedhin plehrat. Ky det të infekton, të bën me puçrra, sidomos fëmijët. Ka vite që këtu derdhen ujërat e zeza”, ka treguar për gjendjen e rëndë një pushues tjetër.

Banorët dhe pushuesit kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për pastrimin e kanalit, ndalimin e derdhjes së ujërave të zeza në det dhe marrjen e masave konkrete për të garantuar një mjedis të pastër dhe të sigurt në një nga zonat më të frekuentuara të bregdetit të Durrësit gjatë sezonit turistik.

Të Fundit