U martua me 14-vjeçaren, Gjykata vendos arrest me burg për 34-vjeçarin që bashkëjetonte me të miturën

Është shoqëruar mëngjesin e sotëm në Gjykatën e Fierit 34-vjeçari, Aranit Arapi nga Divjaka pasi akuzohet për kryerje të marrëdhënieve seksuale me një të mitur 14-vjeçare nga Roskoveci. Aranit Arapi nga fshati Kryekuq i Divjakës është vënë në pranga nga policia mbrëmjen e 10 Janarit 2023.

Korrespondentja e Klan News, Anila Sefa raporton se trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtare Klodiana Kryeziu dhe prokurore Oliana Gjergjefi, duke ju referuar çështjes në fjalë dhe pas shqyrtimit të provave dhe dëshmive, ka vendosur caktimin e masës “arrest me burg” për 34-vjeçarin.

Prangosja e tij u bë në banesë pasi prej 10 muajsh ishte në një lidhje me një vajzë 14-vjeçare. E mitura që prej muajit Mars të vitit të shkuar jetonte me familjen e djalit, ndërsa këta të fundit kishin bërë edhe dasmë.

Lidhja është kundërshtuar vazhdimisht nga prindërit e vajzës, të cilët e kanë denoncuar rastin në polici. 34-vjeçari është shoqëruar disa herë nga uniformat blu, por më pas është lënë i lirë gjatë kësaj periudhe. Pas denoncimit të radhës, Arapi u arrestua mbrëmjen e së mërkurës.

Prindërit e djalit thonë se vajza ka qëndruar në shtëpinë e tyre me dëshirë, ndërsa diçka të tillë e ka shprehur edhe para policisë. Ata thonë se as ata dhe as djali nuk kanë qenë në dijeni të moshës së saktë të vajzës.

Pas arrestimit të 34-vjeçarit, e mitura është larguar nga banesa e tij dhe është nën asistencën e psikologëve dhe sociologëve.

Të Fundit

Një gjykatë në New Mexico ka urdhëruar kompaninë Meta të paguajë 375 milionë dollarë për mashtrimin e përdoruesve në lidhje me sigurinë e platformave të saj për fëmijë. Një juri vendosi se Meta, pronare e platformave si Facebook, Instagram dhe WhatsApp, ishte përgjegjëse për rrezikimin e të miturve dhe ekspozimin e tyre ndaj përmbajtjeve seksuale dhe kontakteve me persona të rrezikshëm. Prokurori i Përgjithshëm i New Mexico-s, Raul Torrez, e cilësoi vendimin si “historik”, duke theksuar se kjo është hera e parë që një shtet fiton një çështje të tillë kundër kompanisë. Meta, e drejtuar nga CEO Mark Zuckerberg, nuk është dakord me vendimin dhe ka njoftuar se do ta apelojë. Një zëdhënëse e kompanisë tha se ata kanë punuar vazhdimisht për të përmirësuar sigurinë e përdoruesve dhe për të luftuar përmbajtjen e dëmshme. Juria gjeti se Meta kishte shkelur ligjin e shtetit për praktikat e padrejta, duke mashtruar publikun për sigurinë e platformave të saj për të rinjtë. Gjatë gjyqit shtatëjavor u paraqitën dokumente të brendshme dhe dëshmi që tregonin se kompania ishte në dijeni të rreziqeve nga grabitqarët seksualë në platformat e saj.