U kap me 113 mijë Euro, lirohet efektivi i RENEA-s

Gjykata e Tiranës ndryshon masën e sigurisë për Altin Morinën

Një muaj nga arrestimi i bujshëm, Gjykata e Tiranës vendosi të lirojë nga qelia efektivin e forcave speciale të RENEA-s, Altin Morinën.  Ai do të hetohet në masën e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur” dhe me lënien e qelisë rrethanat penale ndaj tij duket se janë zbutur.

Morina u arrestua në 14 Mars të këtij viti pasi në makinën me të cilën lëvizte në zonën e njohur si Kodra e Diellit në kryeqytet, iu gjetën 113 mijë Euro, rreth 290 mijë Lekë dhe 80 Paund.

Policia e referoi 43-vjeçarin për 3 akuza, atë të “Shpërdorimit të detyrës”, Modeklarim të pasurisë” dhe Pastrim të parave.

Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës kërkoi në atë kohë masën e sigurisë “Arrest në burg” për Morinën dhe regjistroi hetimet ndaj tij vetëm  për dyshimet e pastrimit të parave.

Vetë Morina i tha hetuesve se vlerat monetare që iu gjetën në makinë tip Audi Q8, i kishte marrë hua te një biznesmen për një problem personal dhe se ato nuk ishin të krijuara nga aktiviteti kriminal.

Masa e sigurisë për efektivin u ndryshua të enjten nga gjyqtarja Marinela Osmani.

Të Fundit