U dhunua brutalisht në Shqipëri, ndërron jetë 22-vjeçarja nga Kenia

22-vjeçarja nga Kenia Joy Ayoko, ka ndërruar sot jetë pas muajsh agoni në spital. Kujtojmë që e reja u dhunua barbarisht në Tiranë në verën e vitit të kaluar. Lajmi i trishtë konfirmohet nga gazetari Besmir Pula, nga një komunikim me përkthyesen e nënës së saj Ruth Abongo, dhe përfaqësues nga ambasada keniane në Romë.

Kujtojmë që Joy la Spitalin e Traumës në Tiranë më 25 janar duke u dërguar në Spitalin Kenyatta në Kenia. Përcjellja e 22-vjeçares nga Spitali i Traumës në Kenia ka qenë një vendim individual i nënës së saj, që është mbështetur nga përfaqësues të ambasadës së Kenias në Romë.

Dy përfaqësues të ambasadës keniane erdhën në vendin tonë, ku patën një takim në Prokurorinë e Tiranës lidhur me hetimet, dhe ndihmuan të ëmën për transportimin e të resë në Kenia.

Sjellim në vëmendje që 22-vjeçarja u dhunua më 14 gusht brutalisht dhe në rrethana të panjohura. Ajo u hodh nga kati i dytë i banesës në rrugën “Pandeli Evangjeli” në Tiranë. E reja qëndroi 4 muaj në Spitalin e Traumës me dëmtime të shumta në trup.

Në pyetje në lidhje me ngjarjen e rëndë janë marrë shoferi i kazinosë ku punonte 22-vjeçarja dhe shoqet e saj. Megjithatë, deri tani nuk ka një përgjigje zyrtare nga institucionet se si ka ndodhur ngjarja dhe kush mund të jenë agresorët.

Të Fundit