TRONDITET POLICIA E SARANDËS/ Të arrestuarit marrin peng efektivin brenda komisariatit, dera e izolimit dyshohet se u la hapur me urdhër të shefit Feliks Hodaj

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Komisariatin e Policisë Sarandë gjatë natës së kaluar, ku situata brenda ambienteve të izolimit ka dalë jashtë kontrollit. Persona të arrestuar kanë dalë nga izolimi, kanë marrë nën kontroll situatën dhe kanë kapur një efektiv policie, duke e futur brenda ambienteve ku mbaheshin të ndaluarit.

Punonjësi i policisë është mbajtur aty për disa orë, ndërsa për menaxhimin e situatës është kërkuar ndërhyrja e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) nga Fieri. Pas orësh tensioni dhe negociatash, efektivi është liruar rreth orës 07:30 të mëngjesit.

Por ajo që e bën edhe më të rëndë ngjarjen janë pretendimet që vijnë nga brenda strukturave policore për mënyrën se si të arrestuarit kanë mundur të dalin nga ambientet e izolimit.

Sipas këtyre burimeve, dera e izolimit nuk është lënë hapur thjesht për shkak të një pakujdesie apo gabimi njerëzor, por dyshohet se është hapur qëllimisht, duke krijuar kushtet që një prej të arrestuarve të mund të largohej.

Denoncimi ngre akuza të drejtpërdrejta ndaj shefit të Komisariatit të Policisë Sarandë, Feliks Hodaj. Sipas pretendimeve të bëra, urdhri për të lënë derën hapur është dhënë prej tij, pasi dyshohet se kishte marrë para nga një prej personave të arrestuar. Në këmbim, sipas denoncimit, do të krijoheshin kushtet që i arrestuari të mund të largohej nga ambientet e izolimit.

Nëse këto pretendime rezultojnë të vërteta, bëhet fjalë për një situatë shumë më të rëndë sesa një shkelje proceduriale apo neglizhencë në detyrë.

Ndërkohë, burime nga strukturat policore pretendojnë se pas incidentit ka nisur një përpjekje për ta mbajtur ngjarjen larg vëmendjes publike dhe për të minimizuar përmasat reale të saj.

Sipas informacioneve të mbërritura, ekzistojnë dyshime se të dhëna të rëndësishme mbi ngjarjen mund të jenë mbajtur të fshehta, ndërsa ngrihen pretendime se prova apo materiale që mund të ndihmojnë në identifikimin e përgjegjësve rrezikojnë të mos dokumentohen, të zhduken ose të paraqiten ndryshe nga mënyra se si kanë ndodhur realisht ngjarjet.

Edhe më serioze janë akuzat se, me urdhër të Feliks Hodajt, po tentohet të fshihen gjurmët e incidentit dhe të zhduken apo manipulohen prova që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të asaj që ka ndodhur brenda Komisariatit të Sarandës.

Nëse këto dyshime konfirmohen nga një hetim, atëherë kemi të bëjmë jo vetëm me një skandal të rëndë brenda strukturave të Policisë së Shtetit, por edhe me pretendime për ndërhyrje të qëllimshme për të penguar zbardhjen e së vërtetës dhe për të shmangur përgjegjësitë.

Në një situatë të tillë, drejtuesi i Komisariatit, Feliks Hodaj, duhej të ishte pezulluar menjëherë, të paktën deri në përfundimin e hetimeve dhe sqarimin e plotë të përgjegjësive.

Në vend të kësaj, sipas informacioneve, ai vijon të qëndrojë në krye të Komisariatit të Sarandës, ndërkohë që mbi drejtimin e strukturës rëndojnë akuza dhe pikëpyetje serioze.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse institucionet përgjegjëse do të nisin një hetim të plotë dhe të pavarur për të zbardhur se si të arrestuarit mundën të dalin nga izolimi, si u mor peng efektivi i policisë, kush urdhëroi lënien hapur të derës dhe nëse pas ngjarjes është ndërhyrë apo jo mbi provat dhe dokumentimin e incidentit.

Të Fundit