Tre masat kufizuese që mbeten në fuqi, Komiteti i Ekspertëve: Universitetet vijojnë ‘online

Komiteti Teknik i Ekspertëve u mblodh ditën e sotme për të komunikuar situatën nga COVID-19 në vend dhe masat që do të merren në ditët në vazhdim për të mbajtur nën kontroll virusin.

Kryetarja e Komitet Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli bëri me dije se në periudhën e fundit dyjavore është vënë re një ulje e lehtë e rasteve me COVID-19, që siç tha është edhe falë masave të marra deri tani. Nisur nga kjo situatë, Komiteti i Ekspertëve ka vendosur që të qëndrojnë në fuqi edhe për një periudhë kohe kufizimet e deritanishme.

“Në diskutimet e bëra sot në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve mendohet që kjo situatë e qëndrueshme natyrisht që është pasojë e masave të marra, të propozuara dhe të marra gjatë dy javëve të fundit, dhe për këtë arsye ne mendojmë që në këtë lloj situate të vazhdojnë të mbeten në fuqi.

Pra, të vazhdojë të mbetet në fuqi ora policore që fillon mbas orës 22:00. Universiteti të vazhdojë edhe për një periudhë dy javore online, pa prezencën e studentëve fizikisht nëpër auditore. Dhe po kështu fluturimet me Britaninë e Madhe të mbeten të pezulluara deri në datën 18 Janar”, tha znj. Rakacolli.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico ka bërë dhe një përmbledhje të situatës epidemiologjike referuar të dhënave javore ndërkohë që ka bërë me dije se është vënë re një rritje e pozitivitet në moshat 25-34 vjeç.

“Vetëm gjatë javës së fundit niveli i incidencës është ulur dhe është në vlerën 110 raste për 100.000 banorë. Incidenca e rasteve me COVID-19 për Shqipërinë është 227 raste për 100,000 banorë krahasuar me dy javët e mëparshme 9-22 Dhjetor ku incidenca e rasteve me COVID-19 ishte 330 raste për 100,000 banorë.

Vendin më të rëndësishëm të rasteve të konfirmuara e zë grupmosha 55-64 vjeç me 20% të rasteve të konfirmuara e ndjekur nga grupmosha 25-34 vjeç me 18% të rasteve të konfirmuara dhe grupmosha 45-54 vjeç me 17% të rasteve.

Vihet re që ka një rritje në grupmoshen 25-34 ndaj gjejmë rastin të bëjmë një apel tek të rinjtë, të zbatojmë masat, të mos grumbullohen pasi kjo përkthehet në raste infektimi”, tha Fico.

Të Fundit