“Tre avionë zjarrfikës dhe 130 mjete të reja”, prezantohet plani kombëtar i gatishmërisë ndaj zjarreve

Në Bazën Ajrore të Farkës është prezantuar plani kombëtar i gatishmërisë për përballimin e sezonit të zjarreve, në një aktivitet ku morën pjesë kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, ministri i Mbrojtjes, ministri i Pushtetit Vendor, prefektë, kryetarë bashkish, drejtues të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, forca zjarrfikëse, Forca të Armatosura dhe struktura të tjera të angazhuara në menaxhimin e emergjencave civile.

Gjatë prezantimit u bë e ditur se flotës aktuale të mjeteve ajrore do t’i shtohen së shpejti tre avionë zjarrfikës, pronë e shtetit shqiptar ndërsa së bashku me flotën e helikopterëve, këto mjete pritet të rrisin ndjeshëm kapacitetet e vendit për ndërhyrje të shpejtë në rastet e zjarreve masive.

Lamallari bëri të ditur se është planifikuar investimi më i madh i viteve të fundit për modernizimin e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, me financimin e 130 mjeteve të reja zjarrfikëse nga buxheti i shtetit.

Sipas ministrit, qeveria ka ndërtuar një qasje të bazuar te parandalimi dhe jo vetëm te reagimi, përmes hartimit të planeve operacionale në 61 bashkitë e vendit, forcimit të sistemeve të monitorimit dhe vrojtimit, kryerjes së inspektimeve teknike dhe fushatave ndërgjegjësuese.

Lamallari theksoi gjithashtu se bashkëpunimi me Policinë e Shtetit është intensifikuar për goditjen e rasteve të zjarrvënies së qëllimshme, ndërsa ndryshimet në Kodin Penal kanë rritur masat ndëshkuese deri në 15 vite burg për këtë vepër.

Po ashtu, ai bëri të ditur se do të ndërtohen katër stacione të reja zjarrfikëse në Prrenjas, Mat, Patos dhe Mirditë, ndërsa me Aktin Normativ të Buxhetit të Shtetit për vitin 2026 janë shtuar 227.7 milionë lekë për këtë shërbim.

Ministri vlerësoi edhe programin e vullnetarizmit në mbrojtjen nga zjarri, duke bërë të ditur se 100 vullnetarët e parë, punonjës të shoqërisë aksionare “Illyrian Guard”, janë certifikuar dhe do të jenë në dispozicion të strukturave të emergjencave civile pas përfundimit të trajnimit.

Aktiviteti u zhvillua në prag të një periudhe me temperatura të larta dhe rritje të rrezikut për zjarre, ndërsa u prezantuan masat e marra për forcimin e kapaciteteve operacionale, rritjen e gatishmërisë dhe përmirësimin e koordinimit mes institucioneve për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.

Të Fundit