Tre të arrestuarit e grupit kriminal të njohur si “Pepa” kanë dalë këtë të premte para Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku po zhvillohet seanca për vlerësimin e masave të sigurisë.
Seanca po drejtohet nga gjyqtarja Alma Kodraliu, e cila më herët ka firmosur masat e sigurisë në dhomë këshillimi për të arrestuarit në kuadër të operacionit të SPAK.
Operacioni i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), i ndërmarrë disa ditë më parë, goditi një grup të strukturuar kriminal që dyshohet se ka trafikuar rreth 7.5 ton kokainë në nivel ndërkombëtar.
Në total janë firmosur 11 urdhër-arreste, ndërsa deri më tani janë ekzekutuar vetëm 3 prej tyre. Kreu i dyshuar i grupit, Jetmir Pepa, vijon të jetë në kërkim.
Paralelisht me aksionin për arrestimet, SPAK ka vijuar hetimet financiare, duke sekuestruar pasuri me vlerë miliona euro që dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal.



