‘TËRMET’ në Kadastër! Lorena Goxhobelli në fokus të hetimit të SPAK

Një operacion i gjerë i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ka vënë në qendër të hetimeve Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), ku dyshohet për një skemë të organizuar korrupsioni që përfshin tjetërsime pronash, legalizime të paligjshme dhe favorizime në regjistrimin e pasurive.

Sipas burimeve pranë hetimit, në fokus ndodhet edhe drejtoresha e përgjithshme e ASHK-së, Lorena Goxhobelli, së bashku me disa drejtues të institucionit. Hetimet po përqendrohen te vendimmarrjet administrative dhe dokumentacioni që dyshohet se është manipuluar për të regjistruar prona në kundërshtim me ligjin.

SPAK ka vendosur sekuestron mbi disa sipërfaqe toke në zonën e Livadhit në Himarë, ndërsa burime pranë hetimit bëjnë me dije se priten edhe veprime të tjera në ditët në vijim. Verifikime po zhvillohen edhe në Drejtorinë e Kadastrës Tiranë Rurale 1.

Hetimet janë shtrirë në disa qarqe të vendit, mes tyre Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Vlorë. Në Durrës po verifikohen raste të dyshuara të legalizimeve dhe tjetërsimeve të paligjshme të pronave, veçanërisht në zonën e Gjirit të Lalzit, ndërsa në Elbasan dyshimet lidhen me ryshfet, manipulim dosjesh dhe përdorim të strukturave shtetërore në favor të interesave kriminale.

Sipas burimeve, hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë që grupet kriminale të kenë ushtruar ndikim në nivelet drejtuese të institucionit, duke përdorur pasuritë e paluajtshme dhe sektorin e ndërtimit për pastrim parash.

Vetëm gjatë vitit 2025 janë sekuestruar pasuri të paluajtshme me vlerë mbi 11 milionë euro, për të cilat dyshohet se janë regjistruar me dokumente të falsifikuara dhe me përfshirjen e zyrtarëve të Kadastrës.

Ndërkohë, burime pranë hetimit bëjnë me dije se ndaj drejtoreshës së përgjithshme të ASHK-së janë kryer kontrolle nga organet e drejtësisë dhe priten zhvillime të tjera procedurale.

Të Fundit