Një 19-vjeçar është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare në afërsi të Qafë Botës, i dyshuar për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Shtetasi Anton Leke, 19 vjeç, banues në Vrinë, Bashkia Konispol, u kap rreth orës 05:00 të mëngjesit të së martës, në tentativë për të kaluar në këmbë, përmes kufirit të gjelbër, 6 shtetas drejt Greqisë. Bëhet fjalë për dy gra, njëra nga Lushnja dhe tjetra nga Fieri, si dhe katër fëmijët e tyre, të cilët nuk dispononin dokumente udhëtimi.
Sipas hetimeve paraprake, këta shtetas ishin transportuar me automjet nga Fieri deri në afërsi të Qafë Botës, ku i priste 19-vjeçari. Ky i fundit u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare, përpara se të realizohej kalimi i paligjshëm i kufirit.
Dy gratë kanë deklaruar para policisë se janë transportuar deri në kufi nga një drejtues mjeti, i cili tashmë është shpallur në kërkim. Nga deklarimet e 19-vjeçarit rezulton se ai do të merrte nga 100 euro për secilin person që do të ndihmonte të kalonte në këmbë kufirin e gjelbër drejt Greqisë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.



