Si rezultat i përpjekjeve të Presidentit Joe Biden për të gjetur burime për të financuar programet e tij sociale, më të pasurit e Amerikës mund të ndeshen së shpejti me taksa më të larta, sidomos nëse eliminohen disa mënyra për të transferuan pasurinë nga një brez në tjetrin duke shmangur taksat.
Administrata e Presidentit Biden nuk e ka fshehur bindjen se fitimet nga aksionet apo investime të tjera nuk duhen taksuar më pak se fitimet e siguruara me punë djerse, siç ndodh aktualisht.
Fitimet nga investimet në aksione e forma të tjera pronësie taksohen me një normë deri në 20%, ndërsa të ardhurat nga puna direkte mund të kenë një normë taksimi nga qeveria federale deri në 37%.
‘Njerëzit duan të kuptojnë dhe të përgatiten’
Varianti fillestar i planit po analizohet ditët e fundit dhe rezulton se parashikon ndryshime edhe më të thella se ç’mendohej fillimisht.
Në mars, Departamenti i Thesarit bëri publik një propozim për të eliminuar një kategorizim të të ardhurave të trashëguara në një formë që shmangin taksat. Po ashtu parashikohen ndryshime në menaxhimin e trusteve familjare, një mënyrë për të organizuar zotërimet për trashëgimtarët.
Njoftohet se llogaritarë të specializuar në përgatitjen e dokumentacionit mbi zotërimet që do të përfitojnë trashëgimtarët janë kontaktuar nga shumë të pasur që duan të dinë nëse kanë forma të tjera për të “mbrojtur” zotërimet nga taksimi.
“Nuk kam qenë kurrë kaq i ngarkuar me punë në 25 vjet karrierë,” thotë Randall A. Denha, i cili ka një firmë që organizon dokumentacionin mbi zotërimet për trashëgimtarët. “Shumë njerëz kanë pyetje, sidomos ata që duan të lënë pasuri të konsiderueshme për trashëgimtarët, pasi njerëzit nuk e dinë si mund të ndikohen pronat e tyre në këtë periudhë”.
Shpjegohen “bazat”
Në bazë të ligjit aktual, zotërimet që janë rritur në vlerë dhe trashëgohen nga një brez në tjetrin shpesh përfitojnë nga një “trajtim special” që i mbron nga shuma të mëdha taksash.
Dikush që ka blerë një aksion të kompanisë “Berkshire Hathaway” në 1980 ka paguar 315 dollarë, por sot një aksion i vetëm shitet për 420 mijë dollarë. Nëse zotëruesi shet sot aksionet që bleu në 1981, do të duhej të paguante taksa për shumën ekstra që ka siguruar mbi çmimin “bazë” që pagoi.
Nëse zotëruesi vdes para se ta shesë këtë aksion, trashëgimtari që bëhet zotërues çlirohet nga detyrimi për të paguar taksa për vlerën e shtuar. Nëse ai e shet aksionin me vlerë 420 mijë dollarë, ai nuk paguan taksa.
Duke eliminuar këtë trajtim special për trashëgimtarët, papritmas qindra mijëra dollarë do të jenë të taksueshme.