Studimi: Dora e njeriut tek klima ka sjellë vapën ekstreme

Vala e të nxehtit që ka përfshirë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara në korrik do të kishte qenë “virtualisht e pamundur” pa ndikimin e dorës së njeriut tek klima.

Kështu sugjeron një studim i ri, sipas të cilit, djegia e karburanteve fosile rriti gjithashtu me 50 herë mundësitë që vala e të nxehtit të prekë disa zona të Kinës.

Ndryshimet e klimës kanë bërë që i nxehti në jug të Evropës të jetë 2.5 gradë Celsius më i nxehtë, me shoqëritë që kanë qenë të papërgatitura për një mot ekstrem.

Autorët e studimit thonë se konstatimet vënë në dukje rëndësinë e përshtatjes së botës ndaj temperaturave më të larta, të cilat nuk janë më të rralla.

“I nxehti është një nga katastrofat më fatale të planetit. Vendet duhet të ndërtojnë shtëpi rezistente ndaj tij, të krijojnë qendra ftohjeje për njerëzit dhe të gjejnë mënyra për të freskuar qytetet, përfshirë atë duke mbjellë më shumë pemë”, ka deklaruar studiuesja Xhuli Arrigi.

Në korrik, temperaturat rekord u thyen në disa zona të Kinës, në jug të Shteteve të Bashkuara dhe në Spanjë, ku miliona njerëz i kaluan ditët nën alarmin e kuq për shkak të të nxehtit ekstrem.

Ekspertët thonë se një vapë e tillë mund të përbëjë një kërcënim serioz për jetën e njeriut, sidomos në radhët e të moshuarve. Mbi 61 mijë persona vlerësohet të kenë humbur jetën si pasojë e të nxehtit gjatë vitit të kaluar.

Të Fundit