GJKKO dënon me burgim të përjetshëm Redjan Rrajën

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar ka dënuar me burgim të përjetshëm Redjan Rrajën. Ai akuzohet si ekzekutor për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, ku mbeti i plagosur ky i fundit, miku i tij Aleksandër Laho, si dhe shoferi Andi Maloku, i cili ndërroi jetë pas disa ditësh në spital.

Akuzat që rëndojnë mbi Rrajën janë “vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”, “vrasje e mbetur në tentativë ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, siç është rasti i prokurorit Arjan Ndoj. Nga ana tjetër mbi të rëndon edhe akuza e “armëmbajtjes pa leje”, “vrasje e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim” ndaj shokut të ish-prokurorit Ndoj, Aleksandër Laho, i njohur ndryshe si “Rrumi i Sukthit” dhe vrasja e shoferit të shokut të ish-prokurorit Ndoj, Andli Maloku i cili humbi jetën 1 javë pas atentatit të ndodhur.

Gazetarja e Klan News raporton se mbrojtja e Redjan Rrajës për 2 orë e 30 minuta ka relatuar të gjithë argumentet duke pretenduar se nuk ka prova dhe fakte që e lidhin Rrajën drejtpërdrejtë me ngjarjen. Nga ana e mbrojtjes është pretenduar se SPAK nuk ka arritur të zbulojë se cili është motivi pse Redjan Rraja ka tentuar të ekzekutojë ish-prokurorin Arjan Ndoj, Aleksandër Ndoj apo shoferin Andi Maloku.

Erjol Halilaj në rolin e bashkëpunëtorit është dënuar më 35 vjet burg. Sipas kamerave të sigurisë, ai ka marrë makinën e tij nga një biznes në Durrës në orën 15:15 dhe ka përshkuar të njëjtin itinerar që ka ndjekur makina e autorëve dhe ka shkuar në afërsi të Ishmit për të marrë Rrajën dhe dejtuesin e makinës.

Ngjarja ndodhi pranë mbikalimit të Shkozetit në Nëntor të 2019-ës, në aksin rrugor Durrës-Tiranë, ku mbeti i plagosur prokurori Arjan Ndoja, miku i tij Aleksandër Laho, i njohur edhe me emrin Pëllumb Muharremi, si dhe shoferi Andi Maloku, i cili ndërroi jetë pas disa ditësh në spital.

Më herët, SPAK bëri të ditur se gjurmët e ADN së Redjan Rrajës janë gjetur në disa sende të ndryshme në automjetin Mercedes-Benz ngjyrë gri që u gjet në fshatin Shkafan të Ishmit. Profil gjenetik u përftua në një palë syze “Emporio Armani” me inicialet e tij dhe në rrobat, kapuç dhe një palë doreza. Brenda makinës së autorëve u gjetën 136 gëzhoja, dy automatikët dhe një pistoletë që u përdorën në ngjarje.

Prova tjetër kundër Redjan Rrajës janë pamjet filmike kur ai largohet nga Ishimi në drejtim të makinës që drejtohej nga Eriol Haliaj. Sipas prokurorisë, pas zbërthimit të celularit të tij është konstatuar se ai ka bërë 880 hapa me shpejtësi deri sa kanë arritur tek vendi ku i mori Halilaj. Po ashtu në celularin e tij janë gjetur edhe termat si “bidon”, “benzinë”, “autostradë”, “Benz”, “Arjani”, “Rrumi”, “vrasje”, “burg”.

Të Fundit