Raporti zyrtar i Avokaturës së Shtetit për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) gjatë vitit 2025, i dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë, evidenton një sërë problematikash serioze në sistemin shqiptar të drejtësisë. Dokumenti tregon se, ndonëse përfaqësimi ligjor i shtetit ka shmangur pasoja të konsiderueshme financiare, vendimet e Gjykatës së Strasburgut nxjerrin në pah mangësi të theksuara në funksionimin e gjykatave shqiptare.
Sipas raportit, gjatë vitit 2025 GJEDNJ ka dhënë 34 vendime për Shqipërinë, ndërsa në 12 prej tyre ka konstatuar shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjetjet tregojnë se një pjesë e reformave në drejtësi nuk kanë arritur të zgjidhin problemet ekzistuese, ndërsa në disa raste kanë krijuar vështirësi të reja.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me mekanizmin ligjor për gjykimin brenda një afati të arsyeshëm, i parashikuar në nenin 399/1 të Kodit të Procedurës Civile. Ky instrument, i krijuar për të kompensuar qytetarët për vonesat në procese gjyqësore, sipas Avokaturës së Shtetit nuk po funksionon siç ishte parashikuar, kryesisht për shkak të mungesës së gjyqtarëve dhe pasojave të procesit të vettingut.
Raporti thekson se numri i madh i çështjeve të prapambetura është rritur ndjeshëm, ndërsa mungesa e masave konkrete për plotësimin e vakancave ka rënduar edhe më tej situatën. Në vendimin “ARB dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, të datës 27 maj 2025, GJEDNJ paralajmëron se nëse nuk ndërhyhet urgjentisht, veçanërisht për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatat e Apelit, mekanizmi mund të konsiderohet i dështuar. Kjo, sipas Strasburgut, do të sillte një valë të re padish dhe dënimesh ndaj Shqipërisë. Gjykata ka rrëzuar gjithashtu argumentin se vonesat justifikohen nga reforma në drejtësi, duke theksuar se qytetarët nuk mund të mbajnë barrën e tranzicionit institucional.
Një tjetër problematikë e evidentuar është aksesi në Gjykatën Kushtetuese. Raporti përmend vendimet “Ibrahimi dhe të tjerë”, “Ilia” dhe “Fortuzi”, ku GJEDNJ ka konstatuar se qytetarëve u është mohuar padrejtësisht e drejta për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për shkak të mënyrës së llogaritjes së afatit 4-mujor për paraqitjen e ankesave.
Avokatura e Shtetit bën të ditur se kishte rekomanduar zgjidhjen e këtyre rasteve me pajtim dhe rishikimin e praktikës nga Gjykata Kushtetuese për të shmangur dënime të reja, por sipas raportit kjo nuk ka ndodhur.
Strasburgu ka ngritur kritika edhe për mënyrën e arsyetimit të vendimeve gjyqësore. Në çështjen “Frroku”, u konstatua shkelje e nenit 6 të Konventës pasi Gjykata Kushtetuese nuk dha një arsyetim mbi themelin e çështjes, duke u kufizuar vetëm në rezultatin e votimit.
Ndërsa në çështjen “Rarani”, GJEDNJ vlerësoi se Gjykata e Lartë kishte tejkaluar kompetencat e saj, duke ndryshuar në mënyrë arbitrare konstatimet faktike dhe vlerësimet e ekspertëve të pranuara nga gjykatat më të ulëta, pa prova të reja dhe pa argumentim të mjaftueshëm.
Raporti ndalet edhe te çështjet që lidhen me paanshmërinë e gjyqtarëve. Në rastin “Kroi & Noçka”, tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese morën pjesë në shqyrtimin e një çështjeje për të cilën kishin vendosur më parë si gjyqtarë të Gjykatës së Lartë. Vendimi përfundoi me votim të barabartë 3 me 3, duke ngritur pikëpyetje mbi paanshmërinë e procesit.
Po ashtu, në çështjen “Kastriot Ismailaj”, GJEDNJ konstatoi se një gjyqtar i Gjykatës së Lartë kishte shqyrtuar rekursin edhe pse kishte marrë pjesë më herët në vendimmarrje mbi të njëjtat fakte, ndërsa kërkuesit nuk iu dha mundësia të kërkonte përjashtimin e tij.
Në përfundim, Avokatura e Shtetit u kërkon institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë, përfshirë Këshillin e Lartë Gjyqësor, Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese dhe Shkollën e Magjistraturës, të ndërmarrin masa urgjente për të adresuar këto problematika.
Ndër rekomandimet kryesore janë plotësimi i menjëhershëm i vendeve vakante në gjykata, sidomos në Apel, rishikimi i mekanizmit të kompensimit për vonesat në gjykim, si dhe rigjykimi i çështjeve ku janë konstatuar shkelje të paanshmërisë dhe të drejtës për një proces të rregullt ligjor.



