Xhevdet Doçi i është drejtuar emisionit “Stop”, për të kërkuar zgjidhje për një aksident të ndodhur në qershor të vitit 2024, në Bathore. Ai kishte ndaluar furgonin para një dyqani, për të shkarkuar fruta dhe perime, kur mjeti u përfshi në një përplasje me automjete të tjera. Si pasojë, furgoni i tij doli jashtë përdorimit dhe, prej dy vitesh, qytetari thotë, se nuk ka arritur të marrë dëmshpërblimin. Pa mjetin me të cilin siguronte jetesën, ai ka mbetur edhe pa punë.Avokati i tij, Gëzim Hoxha, shpjegon se, pas aktit të ekspertimit autoteknik, i janë drejtuar me shkresë kompanisë së sigurimit, por kjo e fundit, i ka orientuar drejt kompanisë, që siguron mjetin e Policisë. Për shkak të mungesës së një zgjidhjeje, ata i janë drejtuar edhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, por, sipas avokatit, nuk kanë marrë përgjigje.Pamjet e aksidentit dhe akti i ekspertimit, paraqesin një përplasje, ku janë përfshirë tri automjete, mes tyre edhe një makinë policie. Sipas ekspertizës, drejtuesi i mjetit të Policisë ka kryer shkelje, që lidhen me tejkalimin e shpejtësisë së lejuar me mbi 48 km/orë, parakalimin e gabuar dhe drejtimin e mjetit nën efektin e alkoolit. Ndërsa drejtuesit të një automjeti tip Audi i është atribuar kryerja e një manovre të gabuar. Ekspertiza përcakton, se përgjegjësia për aksidentin, i takon drejtuesit të Audit, i cili po kryente një kthim majtas. Drejtori i dëmeve motorike në kompaninë e sigurimeve, shpjegon se, përderisa çështja është pushuar nga gjykata, kompania nuk ka një vendim gjyqësor, që përcakton fajtorin. Ai sqaron se mjeti i Policisë, ka marrë një gjobë dhe se qytetari duhet t’i drejtohet gjykatës për përcaktimin e përgjegjësisë, ose të vijojë procedura e dëmshpërblimit nga kompania tjetër e sigurimit.
Kur i zoti e tepron me pijen, qeni mund të bëhet dëshmitari kryesor. Në videon e parë, qeni duket sikur tregon, se sa ka pirë i zoti, ndërsa në të dytën, shfaqet pas motorit të tij, duke u përdredhur nga qejfi.
Banorët e një pallati të vjetër në zonën e Selenicës, në Vlorë, jetojnë prej vitesh me frikën e depozitave të ujit të vendosura mbi apartamente. Zinete Kuka, e cila e ka denoncuar këtë problem pranë emisionit “Stop”, ngre shqetësimin për peshën e madhe, që rëndon mbi ndërtesë. Ajo thotë, se mbi apartamentin e saj ndodhet një depozitë me rreth një ton ujë dhe, megjithëse banorët e kanë ngritur këtë problem prej vitesh, deri më tani nuk është marrë asnjë masë.Shqetësimin e konfirmon edhe administratori i njësisë, Pëllumb Shametaj, i cili thotë, se problematika i është përcjellë Bashkisë Selenicë dhe se ndërhyrja duhet të bëhet sa më shpejt.Ndërkohë, shefi i Urbanistikës, Klevis Bedini, shpjegon, se është kërkuar ndihmë edhe nga ministria, por banorët nuk kanë përmbushur kriteret, për të përfituar nga mbështetja e kërkuar. Si zgjidhje, ai shpreson që deri në fund të këtij viti të sigurohet një fond për të ndërhyrë në pallat.




