STOP-EMISIONI 22(Sezoni 12) 8 Tetor 2026-“Me dy milione leke e mbyllim”, blerja ne 2019, prona bllokohet ne Kadaster

Biznesmeni Vladimir Kosta tregon, se bleu një pronë në vitin 2019, përmes një kontrate të rregullt shitblerjeje pranë noteres Drita Kamberi. Por ajo, që duhej të ishte një investim për biznesin e tij u kthye në një histori disa-vjeçare përplasjeje me Kadastrën.Pas shitjes, trashëgimtarët e familjes Xhametaj u përfshinë në një konflikt për ndarjen e parave të përfituara nga prona. Një kërkesë-padi u regjistrua në Kadastër dhe mbi pronën u vendos kufizim, duke penguar Kostën ta zhvillonte, sipas planit të tij për ndërtim.Çështja përfundoi në gjykatë dhe kontrata e shitjes së vitit 2019 u konsiderua e rregullt, ndërsa vendimi mori formë të prerë. Pavarësisht kësaj, Kosta thotë, se Kadastra kërkoi edhe një deklaratë nga një prej trashëgimtarëve, duke e lënë pronën sërish të bllokuar.Në këtë histori përfshihet edhe avokati Ilir Uka, avokat i palës shitëse. Në një material të realizuar me kamerë të fshehtë, ai dëgjohet duke i thënë Kostës, se kufizimi mund të hiqej kundrejt 2 milionë lekëve të vjetra, duke përmendur edhe njohjet e tij.Pas ndërhyrjes së “Stop”, Kostës iu kërkua një dokument, që vërtetonte, se familja Xhametaj nuk kishte më proces gjyqësor për këtë kontratë. Dokumenti u paraqit dhe më në fund kufizimi u hoq, duke zhbllokuar pronën e blerë që në vitin 2019.

Peza përballet me një problem, që shqetëson banorët. Një prej tyre ka sjellë një video në redaksinë tonë, që tregon mbeturinat e hedhura pa kriter, duke krijuar një situatë të pakëndshme për komunitetin dhe mjedisin. Aty ku duhet të ketë pastërti dhe kujdes për hapësirën publike, grumbujt e plehrave kthehen në pamje të përditshme.Banorët ngrenë shqetësimin, se mbeturinat nuk janë vetëm një problem estetik, por edhe një rrezik për higjienën dhe cilësinë e jetesës.

Një denoncim ka mbërritur nga një biznesmen i Durrësit, i cili prej më shumë se një viti e gjysmë nuk kishte marrë përgjigje për fatin e makinës së tij të sekuestruar nga policia.Aldo Sallaku, pronar i një biznesi makinash me qira në Katund Sukth, tregon, se një klient, me emrin Aleksandër Tringa,mori me qira një automjet tip Benz, me dokumentacion të rregullt dhe kundrejt pagesës prej 50 eurosh në ditë. Dy ditë më vonë, Sallaku mësoi, se Tringa ishte ndaluar nga Policia e Shkodrës, pasi dyshohej, se po transportonte klandestinë. Automjeti i tij u sekuestrua si pjesë e çështjes.Biznesmeni u interesua pranë policisë, por iu komunikua, se çështja ishte deleguar në Tiranë me prokuror Bajram Brecanin. Megjithëse kishte bërë disa kërkesa zyrtare, për rreth një vit e gjysmë, nuk kishte marrë informacion për makinën. Automjeti, me vlerë rreth 15 mijë euro, vijonte të ishte i sekuestruar, duke i shkaktuar biznesit humbje të ardhurash. Gazetarja iu drejtua Prokurorisë së Tiranës dhe prokurorit Brecani. Ai tha, se kishte qenë me leje për disa muaj dhe ishte rikthyer së fundmi në detyrë. Pas marrjes së dokumentacionit, prokurori ndërhyri duke i dërguar shkresë Policisë së Shkodrës për lirimin e automjetit.

Të Fundit