Pallati te tregu elektrik “përmbytet” nga ujrat e zeza, “Stop” zgjidh problemin.
Marinela Mata dhe banorë të tjerë të pallatit pas Tregut Elektrik, ankohen në emisionin “STOP” për vërshimin e ujrave të zeza në bodrumin e pallatit. Ata kanë kërkuar zgjidhje nga UKT, por vazhdojnë të bashkëjetojnë me ndotjen, rrezikun e infeksioneve dhe erën e keqe.
Në degën e UKT-së të njësisë numër 10, pasi verifikojnë gjendjen në terren thonë se banorët duhet të drejtohen në Drejtorinë e Përgjithshme, në zonën e Medresesë. Në një përgjigje zyrtare të kësaj të fundit, thuhet se është marrë masa urgjente provizore për tubacionin e dëmtuar dhe po punohet për zgjidhje përfundimtare për zëvendësimin e këtij tubacioni.
“Unë jam Marinela Mata. Jam banore në pjesën e Tregut Elektrik. Pronarët, që kanë bërë pallatin, na kanë lënë një tub të ujrave të zeza në garazhdin e pallatit. Pronari Bujar Nurka ka ikur dhe nuk duket më sepse edhe pjesën e pallatit e ka lënë një skandal të vërtetë!”
Marinela tregon se banorët e pallatit kanë bërë një kërkesë për problematikën e ujrave të zeza në Bashkinë e Tiranës, por nuk kanë gjetur zgjidhje.
“Kemi një kënetë poshtë pallatit!”, shton ajo. Gjithashtu edhe banorët e tjerë ankohen për erën e keqe që është shpërndarë në pallat, që ka depërtuar edhe në shtëpitë e tyre, duke e bërë të pamundur jetesën në to.
Marinela thotë se kanë lajmëruar edhe Ujësjellës Kanalizime Tiranë, por as ata nuk e kanë zgjidhur plotësisht problemin e tyre.
“Kjo ka një vit. Tani është përhapur shumë, nga pjesa e ashensorit vjen më shumë. Zgjidhje nuk vjen as nga bashkia e as nga UKT-ja, kështu që menduam emisionin “STOP”, shprehet një tjetër banor.
Gazetarja e emisionit “STOP” i drejtohet UKT-së, ku komunikoi me inxhiniere Lelën.
Inxhinierja Lela – Pallati pas Tregut Elektrik?
Gazetarja – Po, tek parkingu i …
Inxhinierja Lela – Është brenda në parking.
Gazetarja – Po, brenda në parking, bëhet fjalë për bodrumin e pallatit.
Inxhinierja Lela – Po e hoqa gjithë këtë tubin, aty bëhet nami me ujëra të zeza dhe prapë unë do rri, do kthehem në gjendjen ekzistuese, që do të thotë se nuk kam bërë asgjë. Unë kam bërë një … domethënë e kam çuar … ma jep një çikë shkresën Nazi, të lutem! Kam çuar shkresën për zgjidhje të problematikës në drejtori, te drejtoria jonë. Sepse ai bodrumi nuk është se janë krijuar situata nga ne, aty vetëm uji dhe ujin unë e shmanga, rrjedh pak ëëë … po të them, sepse këto janë tuba, nuk janë hermetikë.
Gazetarja – Domethënë zgjidhja duhet të vijë nga … ?
Inxhinierja Lela – Nga drejtoria, departamenti inxhinierik, ato shkojnë e shohin. Ajo nesër ikën…
Juristi – Te zyra e projektimit në Drejtori të Përgjithshme, tek Medreseja.
Gazetarja – Aty është një liqen …
Inxhinierja Lela – Jo, liqen s’është aty.
Gazetarja – Është liqen.
Inxhinierja Lela – Aty 2 cm ujë ka.
Gazetarja – Jo, tani unë them që është liqen sepse kam qenë.
Inxhinierja Lela – Kur je futur ti?
Gazetarja – Ditën e premte, që ke qenë dhe ti.
Inxhinierja Lela – Po unë kam qenë … nuk e di.
Gazetarja – Ti ke qenë 1 orë apo 1 orë e 30 min pas meje.
Inxhinierja Lela – Nuk ka rëndësi kjo, nuk e di. Ore, ka qenë e treta herë që shkoj unë.
Punonjësi Nazmi – Ti e kë parë vetë, s’është nevoja që të themi ne, po …
Gazetarja – Unë e kam parë dhe e di sa thellësi ka uji aty.
Punonjësi Nazmi – Ja shiko! Nuk i kam llustruar këpucët fare, shikoji!
Inxhinierja Lela – Prandaj po të them, kemi hyrë deri në fund, nuk ka më se ka avulluar.
Gazetarja – Jo, jo!
Punonjësi Nazmi – Kur kemi qenë ditën e parë, ka qenë shumë.
Inxhinierja Lela – A ikim tani, shkojmë e shohim? Hajde!
Gazetarja – Hajde!
Gazetarja e emisionit “STOP” së bashku me inxhinieren dhe punonjësin e UKT-së shkojnë në bodrumin e pallatit.
Gazetarja – Dalim diskutojmë jashtë, se nuk rrihet këtu, më falni ëëë …
Inxhinierja Lela – Kjo s’është pjesë e jona. Fare, absolutisht jo!
Dega e UKT-së në njësinë numër 10 të Tiranës reagoi dhe përmes një shkrese zyrtare tha se ankesa e banorëve është vlerësuar urgjente, ndaj po përgatitet një projekt për zgjidhjen e kësaj problematike, duke fajësuar ndërtimin jashtë kushteve teknike të rrjetit të brendshëm të godinës.
Korcë, Posta vjedh pensionistët, drejtori heq punonjësen denoncuese.
Aleksandra Spaho, punonjëse në filialin e Postës Shqiptare në Pirg të Korçës denoncon shkeljet financiare që bëhen në këtë institucion në kurriz të pensionistëve dhe vetë punonjësve. Ajo tregon se të gjithë të moshuarve u mbahen 100 lekë të reja, në mënyrë abuzive, pasi paratë nuk futen në zarf dhe dorëzimi nuk firmoset nga vetë pensionistët. Veç kësaj, edhe pse rregullorja e kërkon që çdo punonjës poste, për arsye sigurie të mos mbajë me vete më shumë se 3 milionë lekë të vjetra, ndodh shpesh që punonjësit të dalin me 5-fishin e shumës.
Problematikën me të moshuarit e konfirmojnë edhe vetë ata që thonë se nuk e kuptojnë se pse u mbahen paratë dhe nuk hedhin firmë për këtë. Emisioni ”STOP” iu drejtua drejtorit të Postës për Korçën, Valter Bebri, i cili kundërshton veten në çdo fjali. Jo vetëm kaq! Pas denoncimit nga ana e punonjëses, Aleksandra Spaho, kjo e fundit është shkarkuar nga detyra dhe drejtori Bebri detyrohet ta pohojë këtë.
“Problemet janë për mënyrën se si shpërndahen pensionet në familje. Rregullorja e Postës Shqiptare flet qartë që çdo pensionist që t’i mbash 100 lekë të reja duhet t’ia shpiesh pensionet në shtëpi, kundrejt një zarfi 10 lekë dhe 90 lekë pulla. Në këtë përplasje që kemi patur unë me filialin, me punonjëset… sepse nga ankesat e pensionistëve, nga problemet që i kanë patur të vazhdueshme, nga kërcënimet… sepse çdo problem e kam hasur unë. Kam shkuar u kam thënë më jepni rregulloren që unë t’ua paraqes pensionistëve, mos t’i mbaj unë përgjegjësitë. Të gjithë akuzat bien mbi mua, sikur unë i mbaj këto lekë për vete dhe realisht lekët kanë vajtur në filial!”
Aleksandra tregon se rregullorja nuk zbatohet edhe në një pikë tjetër, ku thuhet se punonjësi nuk duhet të mbajë me vete më shumë se 300 mijë lekë të reja në ditë, pasi ata mbajnë vlerën prej 1.5 milionë lekësh të reja. E pyetur nëse e ka shprehur këtë shqetësim, ajo thotë: “Më kanë thënë vjen tjetri dhe e bën punën tënde!”.
Gazetari komunikon me disa pensionistë të Pirgut, të cilët thonë se të gjithëve iu mbahet 100 lekë të reja, prej kohësh nuk firmosin as në bordero dhe nuk ua dorëzojnë paratë në zarf, por në dorë.
“Unë merrja prej pensionit 40 mijë e 700 lekë, tani marr 39. As nuk firmosim, sidomos këto 3 muaj, e pyesim kur do vish e ajo thotë kur të më dojë qejfi mua do vij”, shprehet një prej pensionistëve.
Gazetari i emisionit “STOP” i drejtohet Postës Shqiptare të Korçës, ku komunikon me drejtorin e saj, Valter Bebrin, në lidhje me tarifën që u mbahet pensionistëve.
“Rregullat e Postës Shqiptare e kanë kështu: është forma standarde që iu çohet me zarf dhe në zarf shkruhet që mbahet 1 mijë lekë për shërbimin e shpërndarjes së pensionit në familje. Këto lekë janë në buxhetin e Postës Shqiptare, të ardhura për shërbimin.”
Për sa i përket moszbatimit të rregullit për shumën maksimale që mund të mbajnë punonjësit postës, Bebri e mohon, duke thënë se shuma maksimale që merret në ditë është 150 mijë lekë të reja dhe transportohet me makinë sigurie, pasi punonjësi “bën disa rrugë”. Ndërsa për deklaratat që pensionistëve iu mbahet tarifa, shprehet se gjenden të gjitha të dokumentuara.
Por pas denoncimit nga ana e punonjëses, Aleksandra Spaho, kjo e fundit është shkarkuar nga detyra dhe drejtori Bebri detyrohet ta pohojë këtë.
Lezhë, makina dy vjet e bllokuar nga policia,“Stop” e zhbllokon brenda javës.
Në vitin 2015 Marian Jakaj, një qytetar nga Lezha, ka blerë një automjet “Volsvagen Polo” në Gjermani dhe vendosi ta shiste në Shqipëri. Por policia nxjerr pretendimin, që automjeti mund të jetë i vjedhur. Jakaj tregon aktin e shit-blerjes dhe policia e kalon rastin në Prokurorinë e Lezhës. Kjo e fundit nuk kthen përgjigje, me justifikimin, që pritet letër-porosia nga shteti gjerman. “Stop” interesohet në prokurori, ku automjeti mbahet i bllokuar prej dy vjetësh dhe si me magji cështja u zgjidh: shteti gjerman ktheu përgjigje dhe Marin Jakaj rimori makinën e tij.