Marshi i LRI-së dhe nisja gjysmake e parlamentit.
Emisioni i sotëm nis me marshin e LRI-së gjatë pushimeve të verës.Kënga që dëgjohet nga të rinjtë e LSI-së, i ngajn një marshi luftarak. Më pas shfaqen disa intervista me humor me deputetë të mazhorancës, që nisën dje të vetëm punimet e parlamentit, pasi opozita në të njejtën kohë u mblodh në një takim në Shkodër.
Fier, si u manipulua raporti i aksidentit, që i mori jetën 5 vjecares.
Më 30 Qershor të këtij viti një aksident tragjik i mori jetën vajzës 5-vjeçare të familjes Metohu, në fshatin Kurjan të Fierit. Një makinë “Ford Fokus” e mori përpara vogëlushen dhe e la të pajetë.
Gjyshja e vajzës, Lumturi Metohu nuk gjen paqe për humbjen e mbesës dhe tregon se raporti i aksidentit është manipuluar dhe autori i tragjedisë është i lirë.
Ajo rrëfeu: “Unë isha te shkallët e shtëpisë, pashë një makinë ngjyrë të bardhë, që lëvizte me shpejtësi marramendëse. Në këtë kohë bërtas fort, pyes ku janë fëmijët. Pa mbaruar fjalën, dëgjova një përplasje të madhe, sikur u përplas me hekur, llamarinë ose dërrasë. Vij menjëherë, shikoj nusen e djalit tim, që kishte fëmijën e tij në krahë të gjakosur. Makinë nuk pashë se ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Më pas pashë një makinë që vinte indietro drejt nesh, me të cilën e çuam në spital”.
Pas hetimit nga Policia e Fierit, çështja u çua në prokurori, ku iu caktua prokurorit Hysen Ajasllari. Ai urdhëroi bërjen e menjëhershme të aktit të ekspertizës, çka sipas gazetarit të emisionit “Stop”, është e çuditshme.
Lumturia e shqetësuar u shpreh se është shumë e zhgënjyer nga shteti, duke thënë: “Ma ka vrarë vajzën për herë të dytë. Shoferi ka qenë gjasme me 15-20 (km në orë). Gjakun e saj nuk ia fal askujt!”.
Ajo shtoi se drejtuesi i automjetit ka qëndruar për rreth 90 orë në burg, ndërkohë që ata nuk kishin asnjë informacion.
Prokurori Ajasllari e referoi arrestimin e drejtuesit të automjetit në Gjykatën e Shkallës së Parë të Fierit për një masë më lehtësuese. Gjyqtarja Ejona Lazellari vendosi “lirim të menjëhershëm” dhe “detyrim paraqitjeje në Policinë Gjyqësore” për drejtuesin e automjetit që i mori jetën 5-vjeçares.
Gjyshja e saj tha: “Ka manipuluar shumë gjëra, si shpejtësinë e makinës, që e kam parë me sytë e mi dhe nuk mund të më çojë dot syze miopi ekspertiza mua. E pa dhe nusja, e ëma e fëmijës, që e mori të gjakosur. Unë nuk e lej dot gjakun e saj në trotuar, ku u vra. Nuk e lej ta marrin nëpër këmbë, të shitet e të blihet me lekë nga prokurorë, ekspertë e kushdo tjetër. Nuk ia fal askujt se për mua kjo ka korrupsion, ka vjedhje, ka rryshfete!”.
Kamera e fshehtë e emisionit “Stop” shfaqi bisedën e të afërmve të viktimës me prokurorin e çështjes, i cili iu tha se dhimbja ka kaluar dhe tanimë duhet të ruajnë qetësinë.
Gjyshi – Jemi të shtirur nga organet kompetente.
Prokurori – Në rregull pra, këtë të shpjegova deri tani, organet kompetente. Çfarë ka bërë policia, çfarë ka bërë prokuroria, çfarë ka bërë gjykata.
Gjyshi – Në rregull, në rregull. Kam ardhur këtu, të kam kërkuar 3 herë. Ajo zonja aty poshtë thotë jo është këtu, është me pushime, është këtu, është andej. Ne kërkojmë vetëm drejtësi…
Prokurori – Në rregull!
Gjyshi – Me ç’po shoh unë, me këto letra që kam unë… se edhe unë kam letra, edhe atë akt-inspektimin, akt-ekspertizën.
Gjyshja – Eh… Zot i madh!
Prokurori – Nuk është nevoja!
Gjyshi – Po!
Prokurori – E kam unë këtu.
Gjyshi – Dhe këtu…
Gjyshja- Vritet djali për 20 km në orë? Vritet?
Gjyshi – Ja të mbaroj unë!
Gjyshja – Ja, je shofer vetë.
Prokurori – Atë e di eksperti, s’e di unë.
Gjyshja – Jo, eksperti do përgjigjet, kudo të jetë.
Prokurori– Nuk ka pas shkelje drejtuesi i mjetit… Jepi shpjegime tani këtij!
Gjyshja – Unë e kam parë për herë të parë, unë isha te shkallët e shtëpisë time.
Prokurori – Prit një minutë! Ku e ke kartën e indentitetit? Ma jep mua!
Gjyshja- Nuk kam, nuk e mora.
Gjyshi – Çfarë?
Prokurori – Po ti kartën e ke?
Gjyshi – Ore, unë kam…
Gjyshja – Nuk ka, nuk e ka…
Prokurori – Atëherë, mos fol!
Gjyshi- Më duket se kam një fotokopje… s’e kam, iki e marr te makina.
Prokurori– Ok, ik merre kartën dhe hajde të pyes unë! Po deshe pastaj të japësh shpjegime ti.
Gjyshja – Nuk di gjë, unë e kam parë.
Prokurori – Mos fol më shumë sesa duhet! Nuk tregoni vlera kështu.
Gjyshja- Jo, jo më fal!
Prokurori – Tani ka kaluar dhimbja… me qetësi!
Gjyshja – Jo, jo nuk ka kaluar dhimbja kurrë, derisa t’i vete drejtësia, sa t’i gjendet drejtësia asaj.
Prokurori – Një sekondë!
Gjyshja – Dhimbja s’kalon, sa t’i gjendet drejtësia asaj…, prehem unë në paqe.
Prokurori – Një sekondë!
Gjyshi – Dëgjoje prokurorin, dëgjoje! Ne na fal se po flasim shumë!
Prokurori – Po flet shumë, or burrë!
Gjyshi – Po, neve nuk do ta lëmë me kaq, zoti prokuror!
Prokurori – Ore, mos më bëj presion!
Gjyshja – Lëri, jo jo, ti flet ligjet e tua, flet ligjin.
Gazetari i emisionit “Stop” u shpreh se ky hetim është tepër i vakët dhe jo profesional, pasi prokurori nuk ka marrë GPS-n makinës tip “Ford Fokus”, e cila ishte marrë me qira nga drejtuesi. Prokurori duhej të kishte zbardhur dinamikën dhe itinerarin e kësaj makine dhe se me çfarë shpejtësie ka qenë. Por kjo provë kaq e rëndësishme mungon…
Prokurori – Gjërat e mia janë të shkruara këtu, çdokush të vijë ta kontrollojë. Nëqoftëse unë bëj gabim të më çojnë mua në burg. Dakord?
Emisioni “Stop” rikrijoi ngjarjen e aksidentit tragjik, duke respektuar çdo të dhënë zyrtare të marrë nga prokuroria, e çila i është referuar akteve të ekspertit autoteknik.
Sipas kësaj ekspertize, automjeti qarkullonte me 15-20 km në orë. Por nga eksperimenti i emisionit “Stop” manekini, që është më i lehtë se trupi i një 5-vjeçareje, nuk lëvizi fare nga vendi. Ndërkohë që trupi i vajzës së vogël u spostua rreth 5 metra, duke i marrë jetën. Më pas eksperimentoi me shpejtësinë 70 km në orë, çka e spostoi manekinin dissa metra më larg nga ku shkoi trupi i 5-vjeçares.
Sipas gazetarit të emisionit “Stop” prokurori manipuloi shpejtësinë e automjetit, i cili mund të ketë qenë 60-70 km në orë.
Moderatorët e emisionit “Stop” , Saimir Kodra dhe Gentian Zeneli u shprehën se familjarët e 5-vjeçares duan drejtësi, pasi nuk duan që vajza e vogël t’ju vdesë për herë të dytë. Ata gjithashtu bënë apel që të tregohet kujdes nga institucione për këto aksidente tragjike.
Kamera e fshehtë e Stop, AKU bllokon 18 tonë makarona të skaduara.
Një ditë më parë, emisioni “Stop” transmetoi kamerën e fshehtë, ku shfaqej tregtimi i makaronave të skaduara, të ardhura nga Greqia, në një magazinë në Strumë të Roskovecit.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, nëpërmjet një shkrese zyrtare, falenderoi emisionin “Stop” dhe u shpreh se ka nisur menjëherë aksionin.
AKU tha se në subjekt u gjetën makarona, oriz dhe sheqer të blera me fatura tatimore dhe të tregtuara sipas deklarimit të subjektit si të skaduara nga firmat përkatëse.
“Ndaj subjektit Liljana Spahiut u mor masë administrative gjobë me vlerë 650.000 lekë, si dhe bllokim produkti me destinacion asgjësim”, thuhej në përgjigjen e AKU-së.
Aksioni ka vijuar në Tiranë e Gjirokastër për të inspektuar në mënyrë më të detajuar edhe pikat ku janë shitur këto produkte. Pas kontrollit u konstatuan 18 ton produkte të skaduara dhe për më tepër i kishin shpërndarë në subjekte të tjera kësisoj produktesh. Ndaj subjektit “Vako Treg” sh.p.k Gjirokastër u mor masë administrative gjobë 800.000 lekë.
Aksioni i AKU-së do të vijojë për të zbuluar të gjithë pikat ku janë shitur këto produkte të skaduara, të cilat janë shumë të dëmshme për shëndetin e konsumatorëve.