STOP-EMISIONI 198(Sezoni 11) 9 Qershor 2026-“Me vuri duart ne fyt”, studentja shkon te marre diplomen, sulmohet nga sekretarja

Një studente e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër pretendon, se është dhunuar nga sekretarja mësimore Malvina Hallunaj, gjatë një konflikti, që lindi për vonesën në dorëzimin e diplomës. Sipas studentes, pas disa paraqitjeve në sekretari, për të tërhequr diplomën, më 4 qershor situata degradoi në përplasje fizike brenda ambienteve të fakultetit, ku ajo pretendon, se sekretarja e goditi dhe e kapi nga fyti.Nga ana e saj, sekretarja thotë, se ishte studentja ajo, që e sulmoi, duke e goditur me një rezervë stilolapsi dhe duke dëmtuar dokumentet në zyrë.Pas ngjarjes, dekania e Fakultetit të Drejtësisë Paulina Hoti, ka kërkuar largimin nga puna të sekretares. Nga ana tjetër Rektori i Universitetit Tonin Gjuraj, është takuar me studenten dhe ka premtuar shqyrtimin e incidentit. Sipas informacioneve zyrtare, ndaj sekretares është marrë masa disiplinore “paralajmërim për largim nga puna”.Ndërkohë, Policia e Shkodrës ka nisur hetimet pas kallëzimit të studentes. Sekretarja është proceduar për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, ndërsa janë administruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë së universitetit. Vendimi përfundimtar mbi përgjegjësitë do t’i takojë Prokurorisë së Shkodrës.

Këngëtari latin Michelo Picante, i njohur në rrjetet sociale dhe me ndikim të konsiderueshëm në Venezuelë dhe vende të tjera të Amerikës Latine, i ka kushtuar një këngë protestave në Shqipëri. Artisti argjentinas ka tërhequr vëmendjen, duke e kthyer një çështje shqiptare në temë diskutimi edhe për publikun ndërkombtar. Kënga është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, ku Michelo Picante ka një audiencë të madhe ndjekësish.

Analiza e çmimeve të barnave në Shqipëri ngre pikëpyetje mbi zbatimin e metodologjisë së referencës rajonale. Sipas skemës aktuale, çmimi i një medikamenti duhet të llogaritet mbi bazën e mesatares së çmimeve në tre vende të rajonit. Për shembull, për insulinën, janë marrë si referencë çmimet në Greqi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi. Mesatarja e këtyre tre tregjeve rezulton 24.25 euro, ndërsa në Shqipëri i njëjti produkt tregtohet me 28.33 euro. Kjo do të thotë, se çmimi në vend është rreth 4 euro më i lartë se mesatarja referuese, duke ngritur dyshime mbi mekanizmat e përcaktimit dhe kontrollit të çmimeve të barnave.Kjo vlen edhe për medikamente të tjera, duke hedhur hije të forta dyshimi mbi një skemë korrupsioni në këtë fushë.

Të Fundit