Në njësinë administrative Roshnik, në Berat, ka ardhur një denoncim ndaj shtetasit Sherif Seitaj, i cili prej vitesh trajtohet me KEMP si invalid i plotë me status verbërie, kategoria e parë, së bashku me bashkëshorten si shoqëruese. Sipas mjekut të familjes, Arben Halilaj, ai vuan nga disa sëmundje, përfshirë retinopatinë diabetike, që i ka shkaktuar probleme serioze me shikimin.Megjithatë, nga verifikimet në terren dhe deklaratat e vetë Seitajt, rezulton, se ai vazhdon të punojë tokën bujqësore dhe madje të drejtojë traktorin, duke ngritur dyshime mbi përputhshmërinë e gjendjes së tij shëndetësore me statusin e invaliditetit të plotë, që përfiton. Edhe bashkëshortja pranon, se është përfshirë në punët bujqësore dhe përdorimin e mjetit. Situata ngre pikëpyetje mbi kriteret dhe kontrollin e përfitimit të pagesave të invaliditetit.
Një ngjarje dramatike ka ndodhur gjatë transportit policor: një grua me pranga në duar ka arritur të arratiset nga makina e policisë. Momentet e arratisjes janë filmuar, duke treguar një skenë të tensionuar dhe të rrezikshme. Autoritetet janë vënë në ndjekje për kapjen e saj dhe po hetojnë rrethanat e ngjarjes.
Në Tiranë, Fatbardha Çarcani i është drejtuar emisionit “Stop”, pasi prej vitesh nuk arrinte të certifikonte pronën e saj, të përfituar me kontratë shitjeje nga babai në vitin 1991. Pas një kalvari të gjatë procesesh gjyqësore me trashëgimtarët e tjerë, të cilat i fitoi, ajo tentoi ta regjistronte pronën, por u përball me kërkesa të vazhdueshme për korrigjime të dokumentacionit, deri sa në vitin 2021 u detyrua të tërhiqej për arsye ekonomike. Në kushte të vështira shëndetësore, ajo kërkonte certifikatën, për të shitur banesën.Pas ndërhyrjes së “Stop”, Kadastra sqaroi, se duhet bërë një aplikim i ri dhe zonja do të pajiset me certifikatë për sipërfaqen e përcaktuar në kontratë. E lehtësuar, Fatbardha falënderon mes emocionesh për zgjidhjen e problemit të saj.




