Ferdane Muça dhe bashkëshorti i saj prej 15 vitesh janë në konflikt me ish-nusen e djalit dhe ish-krushkun për një banesë në Tiranë, të cilën thonë, se e kanë blerë dhe rindërtuar përpara martesës së djalit në vitin 2004. Pas divorcit në vitin 2008, ish-nusja kyçi dhomën, ku jetonte me djalin, dhe u largua në Suedi, ku jeton me një tjetër burrë. Por ajo vijon të kërkojë në gjykatë ¼ e shtëpisë.Çifti i të moshuarve pretendon, se nuk kanë guxuar ta hapin dhomën nga frika e kërcënimeve të ish-krushkut. Ndërkohë, ky i fundit ka lënë edhe një pajisje akulloresh në oborr, e cila, sipas familjes, ka bllokuar kanalet e ujit dhe ka shkaktuar përmbytje në banesë.Avokatja Eda Grimci sqaron, se familja Muça ka certifikatë pronësie të vitit 2011 dhe se çështja gjyqësore lidhet vetëm me kërkesën e ish-nuses, për t’u njohur bashkëpronare. Gjykata e Lartë e ka kthyer dosjen për rishqyrtim në Apel.Meqë nuk kishte urdhër bllokimi dhe askush nuk ishte paraqitur për sende personale, dhoma u hap pas 15 vitesh. Ndërsa ish-krushku vazhdon të pretendojë, se ka të drejta mbi pronën dhe refuzon të heqë pajisjen nga oborri.
Banorët pranë shkollës “17 Shkurti” në zonën e Freskut denoncojnë se hapësira ku më parë luanin fëmijët është kthyer në parkim makinash. Sipas tyre, janë hequr bordurat mbrojtëse dhe tashmë automjetet futen e parkohen në zonën pedonale, duke ua bërë të pamundur fëmijëve të luajnë të sigurt pranë pallateve dhe shkollës. Banorët kërkojnë ndërhyrje për rikthimin e hapësirës publike dhe vendosjen e masave mbrojtëse.
Në shtator të vitit 2025 transmetuam një problem të zotit Fredi Shaholli. Ai kishte lëshuar një objekt me qira nga viti 2004 deri në 2008 për qytetarin Adnant Balla, duke kaluar në emër të tij edhe kontratën e ujit dhe dritave. Pas largimit të këtij të fundit, objekti ka mbetur me debi të konsiderueshme në ujësjellës dhe OSHEE, përkatësisht në vlerat 25 milionë lekë në UKT e 1.6 milionë në OSHEE. Në vitin 2014, gjykata e ka detyruar Adnantin të paguajë faturat, por deri në vitin 2024, ujësjellësi refuzoi të ndryshojë kontratën, pa pagesën e detyrimit të papaguar. Përmbarimi nuk ka mundur të mbledhë detyrimet e qiramarrësit dhe qytetari i kërkoi ujësjellësit një zgjidhje. Sot, drejtori i UKT-së Flauers Shoshi deklaron, se janë bërë një sërë gabimesh nga Ujësjellësi, duke nisur, që nga hapja e kontratës në emër të qiramarrësit e deri te faturimi i detyrimeve.Sipas tij, debia do t’i faturohet qiramarrësit, ndërsa zoti Fredi Shaholli do të lirohet nga detyrimet, që nuk i përkasin dhe kontrata e ujit do të kalojë sërish në emrin e tij.Kjo do të thotë, se debia prej 25 milionë lekësh të vjetra do të hiqet.




