Denoncimi i radhës vjen nga Saranda, ku qytetarja Donika Resuli akuzon përmbaruesin Erjon Bejko, se prej tre vitesh nuk ka ekzekutuar një vendim gjykate të formës së prerë.Sipas Donikës, në vitin 2016 ajo i ka dhënë 200 dele Gentian Xhaferrit, kundrejt shumës prej 8 milionë e 700 mijë lekësh, por paratë nuk iu kthyen asnjëherë. Edhe kapari prej 2 milionë lekësh i premtuar, nuk iu dha. Më pas palët iu drejtuan noterit për njohjen e borxhit, me shpresën, se shuma do të kthehej brenda një muaji, por kjo nuk ndodhi.Në këto kushte, Donika Resuli iu drejtua Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, e cila i dha të drejtë dhe lëshoi titullin ekzekutiv. Çështja kaloi më pas në duart e përmbaruesit Erjon Bejko, por edhe pas tre vitesh nuk pati rezultat konkret.Gjatë komunikimit me gazetaren, përmbaruesi pranoi, se pala debitore nuk kishte llogari bankare, apo prona të regjistruara, përveç një toke bujqësore në bashkëpronësi. Fillimisht ai nuk pati qasje pozitive, por në një komunikim të dytë, kërkoi ndjesë dhe premtoi, se rasti do të merrte zgjidhje në muajin qershor.Nga ana tjetër, edhe pala debitore, Gentian Xhaferri, premtoi, se do të kthente detyrimin financiar brenda dy muajve.
Në Kombinat, banorët e një pallati denoncojnë gjendjen alarmante të ambienteve përreth godinës, të pushtuara nga ferra, mbeturina dhe papastërti. Sipas tyre, zona është degraduar aq shumë, sa është kthyer në një vend, ku persona të ndryshëm, kryejnë nevojat personale, duke e bërë jetesën të vështirë dhe të pasigurt për familjet dhe fëmijët. Ndërkohë, në Elbasan, shqetësimi lidhet me ambientin pranë një shkolle, ku janë grumbulluar mbetje inerte dhe sasi të mëdha zhavorri. Prindërit dhe qytetarët thonë, se pluhuri, papastërtia dhe mungesa e sigurisë rrezikojnë nxënësit çdo ditë.
Në fillim të prillit folëm për shqetësimin e një qytetari nga Tirana, Platon Cena, i cili denoncoi një rast të moskthimit të 30 mijë eurove nga ndërtuesi Alfred Loka.Sipas tij, në vitin 2016 kishte rënë dakord për të blerë një dyqan nga ndërtuesi, të cilit i kishte dhënë paraprakisht 20 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër do të jepej pas përfundimit të procedurave. Por prona u shit tek një person tjetër dhe palët firmosën një deklaratë noteriale, ku ndërtuesi merrte përsipër kthimin e shumës së plotë.Megjithëse kanë kaluar vite qytetari tha, se nuk ka marrë ende paratë. Nga komunikimet e siguruara, Alfred Loka i premtonte kthimin e shumave në data të ndryshme, duke përmendur transferta bankare, pagesa pjesore, apo takime te noteri. Në disa raste, ai justifikohej me probleme bankare, apo vonesa të papritura.Pas transmetimit tonë ndërtuesi reagoi. Platoni na njoftoi, se më në fund Alfred Loka ia ktheu lekët.



