Arben Mazreku, një qytetar nga Lezha që jeton e punon në Itali, bleu një apartament në lagjen “Besëlidhja” nga shoqëria “I-AS sh.p.k.”. Në Gusht 2015, Arbeni u pajis edhe me certifikatë pronësie, por në Shqipëri duket se nuk ka vlerë as hipoteka.
Për shkak të problemeve me bankën, për pronarin e pallatit u vendos sekuestro për 2 apartamente, por përmbaruesi Brahim Muça, në mënyrë arbitrare, vendosi shtëpinë e Arben Mazrekut.
“Unë jam pronar vetëm me letra se çelësat nuk i kam unë! Ma ka bllokuar përmbaruesi Brahim Muça. Në Gusht 2015 u futa në shtëpi. Shkova në Itali dhe më thanë kushërinjtë që përmbaruesi kishte bllokuar shtëpinë. Kishte vendim gjykate për të bllokuar dy hyrje të Ndue Shkurtit, numrin 13 dhe 14”, shprehet denoncuesi.
Gazetarja e emisionit “Stop” u shpreh se sipas gjykatës, përmbaruesi duhet të sekuestronte apartamentet me numër 13 dhe 14 dhe jo apartamentin numër 12 që ishte e Arben Mazrekut.
“Unë bëra denoncim në polici dhe çështja shkoi në prokurori. Prokuroria dhe gjykata e pushuan çështjen, prandaj iu drejtova emisionit ‘Stop’”, thotë Mazreku.
Ndërsa noteri që ka kryer kontratën mes ndërtuesit dhe Arben Mazrekut, Vasil Martini shprehet se ky i fundit posedon të gjithë dokumentacionin e rregullt të pronësisë së këtij apartamenti që i është sekuestruar dhe se vendimi i gjykatës nuk korespondon me veprimin e përmbaruesit Muça.
“Nga verifikimi i dokumentacionit, Arben Mazreku është në apartamentin që ka blerë konform të gjitha rregullave. Është pajisur me certifikatën e pronësisë dhe është poseduesi i vetëm i kësaj pasurie!”
Noteri shton se në hartën treguese të pallatit ekziston një gabim që ka sjellë si pasojë këtë problem, por përmbaruesi nuk ka shkuar për t’u konsultuar, pavarësisht njoftimeve të përsëritura që i ka bërë nëpërmjet ndërtuesit.
“Unë nuk do t’i imponohem në vendim. Ai ta marrë vendimin si të dojë, por të paktën t’i sqaroj se ku është gabuar. Megjithë kërkesave të përsëritura, nuk më ka ardhur. Kam aplikuar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme një muaj më parë për ta sqaruar këtë problem, që të mos përsëritet gabimi i ngjyrosjes në hartat treguese. Unë kam marrë dy hartat treguese që janë të ngjyrosura korrekt, sipas numrave. I kam ridërguar fjalë përmbaruesit, por nuk më ka ardhur njeri. Këto të dyja do lirohen dhe Arben Mazrekut duhet t’i kthehen çelësat”, vijoi me shpjegimin noteri Vasil Martini.
Ndaj gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua zyrës së përmbaruesit gjyqësor Brahim Muça, i cili u shpreh se ZRPP-së Lezhë ka konfirmuar dy pasuritë që janë lënë për kolateral. Ai shtoi se Arben Mazreku nuk e ka apartamentin në atë kat, ndaj nuk mund të pretendojë pronësinë e apartamentit të sekuestruar.
“Ne do bëjmë një gjë për ta zgjidhur këtë problem, meqë ka ardhur dhe ‘Stopi’. Do shkojmë në Hipotekë të bisedojmë me drejtorin për t’i dhënë zgjidhje. Nëqoftëse është bërë gabimi, është bërë nga eksperti, jo nga unë”, tha përmbaruesi.
Gazetarja e emisionit “Stop” së bashku me denoncuesin iu drejtuan ZRPP-së Lezhë për të pyetur rreth kësaj çështje.
Gazetarja – Është sekuestruar gabimisht, kjo hyrja! Duhej të ekzekutohej 13, 14-ta…
Regjistruesi – Na bëj një shkresë…!
Gazetarja – Jo, jo! Unë jam e qartë me ju, por na ka sjellë përmbaruesi. Unë dua nga ju të di vetëm që kjo certifikata e pronësisë me nr e pasurisë 3/68+1-12, sipërfaqja totale 85.46 m 2, është lëshuar nga ZVRPP-ja Lezhë, më datë 14.08.2015. Tani, ky zotëria njihet pronar i ligjshëm!
Regjistruesi – Padyshim! Është pronar i ligjshëm! E ka ble apartamentin.
Gazetarja – Dakord! Tani…
Regjistruesi – Problemin e kena hartografik! Nga ana juridike, e kemi të rregullt nga certifikata. E kemi problemin hartografik.
Gazetarja – Do ma verifikosh edhe pjesën e hartografisë që të bindet përmbaruesi, sepse unë e di si strukturë. Në vend të dy hyrjeve, ka ekzekutuar gabimisht një hyrje tjetër. Kaq! Mbaje ti atë kopje, sepse unë do vij në orën 1, kur të ma caktosh ti.
Regjistruesi – Ok!
Më pas konsulenti inxhinierik tha se është bërë një gabim hartografik nga ana e shoqërisë “I-AS sh.p.k.”, por gazetarja e emisionit “Stop” këmbënguli që është gabim i përmbaruesit.
“Gabimi i ekspertit që ka shkuar në terren, nëse ka patur ekspert”, u shpreh konsulenti. Duke marrë shkas nga kjo, përmbaruesi Brahim Muça u detyrua të bëjë një procesverbal për t’i rikthyer apartamentin pronarit të ligjshëm.
Prokuroria dhe gjykata e mbyllën çështjen, por emisioni “Stop” arriti ta zgjidhë atë brenda ditës, duke i dhënë çelësat e apartamentit të tij qytetarit Arben Mazreku.
33 vjet nga vdekja e diktatorit dhe rimishërimi i Enver Hoxhës.
Plot 33 vjet më parë ndërroi jetë ish-diktatori shqiptar Enver Hoxha. Por duket se fryma dhe pasuesit e tij na drejtojnë ende. “Stop” sjell një nga thëniet e fundit të kryeministrit Edi Rama, që imiton ekzaktësisht një batutë të diktatorit.
“Shëndetësia falas”?! Pezullohen 3 infermierët e kameras së fshehtë.
Një ditë më parë “Stop” transmetoi disa video me kamera të fshehtë, ku shfaqej e ashtuquajtura “shëndetësia falas”.
Me para nën dorë, qytetarët u pajisën me raport mjeko-ligjor në Kamëz e Durrës. Ndërsa në Krujë, “shëndetësia falas” i siguroi një qytetareje shtatzënë vetëm analizën e grupit të gjakut. Të tjerat në mënyrë private dhe me para.
Sot Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale lëshoi një deklaratë, ku njoftoi pezullimin nga puna për infermierët që shfaqeshin në video, A.M, M.P dhe E.M.
“Duke falenderuar median për evidentimin e rasteve të tilla, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes theksoi vendosmërinë për të luftuar çdo fenomen korruptiv, në mënyrë që çdo punonjës që kryen akte në kundërshtim me ligjin të ketë ndëshkimin e merituar”, përmbyllej njoftimi për shtyp.
Por moderatorët e emisionit “Stop”, Saimir Kodra dhe Gentian Zenelaj thanë se përgjegjësia penale duhet të kalojë një herë nga komisionet e poliklinikave, të cilët firmosin pa kontrolluar pacientin. Ata u shprehën se infermierët që janë pezulluar janë vetëm korrierët, ndërsa anëtarët e komisionit janë përgjegjësit kryesorë.
Çfarë transmetoi ditën e djeshme emisioni “Stop” lidhur me korrupsionin në poliklinikat e Kamzës, Durrësit dhe Krujës:
Kamza
Qytetarja – Më fal! Si kalon? Po kërkoj atë zonjën që rri aty!
Infermierja 1 – Ka ikur në shpi.
Infermierja 2 – Kanë ikur ato.
Infermierja 1 – Kanë mbaruar për sot.
Qytetarja – Sepse doja të pyesja pak për diçka. A mund të vini një sekondë, ju lutem? S’ka problem! Unë këtu jam studente, më duhet një raport mjeko-ligjor!
Infermierja 2 – Mjeko-ligjor! Se je e aftë për punë? Ti je e aftë?
Qytetarja – Po!
Infermierja 2 – Do të fillosh punë me ndonjë vend apo e do për studime?
Qytetarja – Po! Unë nuk e kam këtu vendbanimin, e kam në Dibër edhe më duhet sot për nesër dhe s’kam kohë.
Infermierja 2 – S’ka kohë tashi. Më jep kartën e identitetit, të shkoj…! Çkemi? Si je? Ja, dy minuta, erdha! Do i them një doktori mos ka se kur vjen një urgjencë, i japim… po qe se ka, unë do shkoj lart, meqë qenke prej Dibre. Jam vetë prej Dibre unë.
Qytetarja – Ja!
Infermierja 2 – Kjo bën dhjetë mijë lekë të vjetra (ul zërin).
Qytetarja – Sa?
Infermierja 2 – 10 mijë lekë të vjetra (me zë të ulët).
Qytetarja – Në rregull!
Infermierja 2 – Të shkoj lart unë njëherë!
Qytetarja – A të ngjitem edhe unë lart?
Infermierja 2– Jo, s’ka gjë, se kam kartën. Se ka shumë njerëz.
Infermierja 2 – Hajde këtu te shkallët se s’duam… I thashë duhet për nesër vërtetimi.
Qytetarja – Si e ke emrin?
Infermierja 2 – Edlira.
Qytetarja – Kur të kem ndonjë herë tjetër që të të kërkoj.
Durrës
Qytetarja – A të futem?
Infermierja – Hajde, hajde! Dëgjo erdhe ti, po pse s’erdhe atë ditë?
Qytetarja – S’munda, kam qenë sëmurë. Me grip jam.
Infermierja – Me grip, ke qenë pa qejf ëëë, mirë. Hajde tashi! Unë po bëj një përpjekje njëherë! Ishalla nuk kane ik ato të ndërtesës tjetër! Si e ke emrin ti? A ke një kartë identiteti?
Qytetarja – Po, kam!
Infermierja – Ma jep kartën! M’i jep edhe ç’ke për të… ashtu, edhe të shkoj njëherë unë!
Qytetarja – Tani sa bënin?
Infermierja – Nëma ti ta kem një kështu, sa ke ti ke një 5-she? Ma jep 10-shen!
Qytetarja – Jo, nuk kam!
Infermierja – S’ke? Ja të ta jap unë një se duhet me i ngatërru, duhet një 5-she me bo regjistrimin atje, asaj tjetrës të shkoj t’i them.
Qytetarja – S’ka gjë! Vetëm më mbaro!
Infermierja – Ishalla të mbaroj njëherë! Ta gjej, përndryshe do vish vetë. Do vish jo vetë, do vish nesër se çfarë do bëj unë do pyesësh mirë!
Qytetarja – Ok!
Infermierja – Mbaji këto tani ti!
Qytetarja – Në rregull!
Infermierja – Unë tani duhet me i bo krejt 5-she se s’shkojnë ashtu, nuk shkojne me tetën.
Na tani me tetën, letra nga komisioni, raporti, futi këtu! Mirë! Hajt! Pacim!
Krujë
Qytetarja – Si jeni? Mirë?
Doktori – Mirë!
Qytetari – XXXXX më adresoi këtu për një analizë gjaku, HIV- AIDS.
Doktori – Bohet HIV, Hepatiti B, Hepatiti C, bëhet grupi i gjakut, bëhen të gjitha.
Qytetari – Këtë na tha edhe ajo për të bërë.
Doktori – Të gjitha këto?
Qytetari – Po! E sa kushtojn këto tani?
Doktori – Grupi i gjakut është falas që është shtet, kurse këto të tjerat janë me pagesë. Nuk bëhen në shtetërore, veç të t’i bëj nga ana ime privatisht. Por grupin e gjakut e keni falas.
Qytetari – Sa kushton e gjitha kjo?
Doktori – Veç për nusen t’i bëjmë të gjitha shkojnë 20 mijë lekë.
Qytetari – Ok! Mund ta bëjmë?
Doktori – Po, por vetëm se janë me pagesë… kupton?
Qytetari – Po, pra!
Doktori – Ok, e bëjmë! Ulu!
Qytetari – Në shtet nuk funksionojnë këto?
Doktori – Jo, nuk funksionon!
Qytetari- Ok! S’ka problem!
Doktori – Mund t’i bësh edhe në Tiranë, edhe në Fushë-Krujë, nuk ka problem, po edhe grupin e gjakut.
Qytetari – Për të mos ikur dhe njëherë në Tiranë.
Doktori – Si të doni po them.
Qytetari – Vazhdojmë! Vazhdojmë!
Doktori – Jo, jo! Problemi është se në shtet nuk bëhen asnjë vend. Vetëm në Tiranë, te Qendra Kombëtare e Gjakut mund të marrësh një rekomandim, për të shkuar për t’i bërë. Do i bësh me pagesë.
Qytetari – Mirë, mirë, se edhe pashaportizimin nuk e kemi akoma, kështuqë…
Doktori – Jo, jo! Nuk e di tani, unë po them zgjidhjen që mund të jap.
Qytetari – Ok! Vazhdojmë!
Doktori – Tashi si doni bëni, ngaqë është me pagesë edhe unë ndihem në siklet.
Qytetari – Po s’ka problem, unë po të thashë bëje, bëje!
Doktori – Jo, vëlla! Ngaqë është me pagesë i bëj unë nga ana ime, e kupton ? I kam marrë ngaqë ka kërkesë, sa për të mos me shkuar njerëzit në Tiranë për shembull. Po është me dëshirë, nuk është e detyrueshme.
Qytetari – Ore, aq më mirë që ju shërben njerëzve sepse tani të shkosh dhe deri në Tiranë…
Doktori – Unë vihem dhe në siklet, për Zotin! Po problemi është që tani në Tiranë, thashë merr një rekomandim dhe shko te Qendra Kombëtare e Gjakut.
Qytetari – Nuk është problem!
Doktori – Se dhe unë ndihem në siklet, ngaqë … kurse grupin e gjakut e keni pa pagesë.
Qytetari – Nuk besoj që është për t’u vendosur në siklet kur ti po i shërben dikujt.
Doktori – Po, siklet është.