Komisariati 3 ose parkingu i makinave të sekuestruara te “Mine Peza”.
Kushdo, që ka kaluar në rrugën “Mine Peza”, është përballur nga të dyja anët e rrugës me parkingun e improvizuar të makinave të sekuestruara dhe të rrethuara me shirit.Kjo ndodh edhe këto ditë, kur me aksione, po pastrohen rrugët e kryeqytetit nga automjetet, që nuk përdoren. Renaldo ka shkuar në rrugën “Mine Peza” dhe ka telefonuar të gjitha institucionet përgjegjëse, duke u dhënë targat për heqjen e makinave. Mënjehërë pas filmimit të Renaldos, në zonë zbarkuan karroatrecët, për të liruar hapësirat publike nga automjetet e sekuestruara.
“Stop” dhe “Fundjavë ndryshe” bëjnë me shtëpi të re dy familje.
Pak kohë më parë “Stop” transmetoi dy histori të trishta varfërie dhe mjerimi.Zef Tuci, nga Rrësheni është i sëmurë, pa shtëpi e pa mundësi për të përballuar jetesën për vete dhe fëmijët e tij.Sofi dhe Elen Papa kanë dhuruar mobilimin e shtëpisë së tij,ndërsa “Fundjava” i ka mundësuar ndërtimin e shtëpisë së re. Por kështu, me një shtëpi të re, është bërë dhe familja e Burbuqe Bucit nga Paskuqani, ndërsa nuk kanë munguar dhe ndihmat në të holla nga qytetarë të ndryshëm. Arbër Hajdari, president i “Fundjavë ndryshe” flet në studion e emisionit për këto shtëpi dhe vijimin e nismës, për të ndihmuar sa më shumë familje në nevojë nën moton “bamirësia nuk të varfëron”.
E rrallë në Elbasan: derës i del pronari, hyrja me shkallë nga dritarja!…
Arben Xheka, banor në Fushë Mret të Elbasanit, tregon në emisionin “Stop” se banon në një shtëpi private prej 27 vjetësh. Por prej një viti nuk mund të hyjë e të dalë nga dera sepse truallit i ka dalë pronari. Ndaj ai ka vënë një shkallë që e përdor për të hyrë e për t’u ngjitur në katin e dytë.
Në këto kushte, çështja mund të quhet “një çudi shqiptare” e radhës…
“Ka gati një vit që mua më është bllokuar dera për të hyrë në banesë dhe detyrohem të hyj nga dritarja. Nuk kam mënyrë tjetër komunikimi. Shtëpia e katit të dytë nuk ka lidhje me katin e parë sepse kati ka hyrje tjetër. U detyrova të bëj një palë shkallë për të hyrë në katin e parë”, rrëfeu denoncuesi.
Por të moshuarit e shtëpisë thonë që janë ngujuar, pasi kur kanë provuar të përdorin shkallën janë rrëzuar.
“Ku të dal unë? Nga shkallët kam rënë dy herë”, u shpreh i moshuari. Ndërsa bashkëshortja e tij tregoi se ka që prej muajit Nëntor pa dalë nga shtëpia, pasi nuk mundet të hyjë e të dalë nëpërmjet shkallës.
Bashkëshortja e Arben Xhakës tha se i kanë kërkuar pronarit të tokës t’u lejojnë pak hapësirë sa për të dalë të moshuarit, por nuk ka pranuar.
“Sa herë hipi e zbres unë, atë punë kam mbi 20 herë në ditë. Tallen edhe njerëzit kur kalojnë dhe na shohin ne këtu”.
Gazetarja e emisionit “Stop” u shpreh se në këto kushte familja Xheka ndodhet në “arrest shtëpie”.