STOP – EMISIONI 138 (SEZONI 3) 14 mars 2018

Dita e verës në Tiranë dhe Elbasan, pjesë e festës Linda e Zaho Rama.

Sot në Tiranë dhe Elbasan u festua dita e verës. Rrugët u mbushën me njerëz dhe nuk munguan aktivitetet e shumta, organizuar nga bashkitë e dy qyteteve. “Stop” sjell atmosferën në kryeqendrën e festës, Elbasan, por edhe në Tiranë, ku mes njerëzve, që shijuan shëtitjet dhe aktivitetet ishin edhe Linda e Zaho Rama, bashkëshortja dhe djali i kryeministrit Edi Rama.

Kamëz, në emigracion me ndihmë ekonomike, ndan para me zyrtaren.

Pastrimi i skemës së ndihmës ekonomike ështe kthyer në debatin e politikës ditët e fundit. Emisioni “Stop” sjell një rast të pastër abuzimi të përfitimit të ndihmës ekonomike në Kamëz.

Gazmir Qema ka hyrë në këtë skemë që në vitin 2014 e deri më sot, por emisioni “Stop” ka mësuar se prej tre vitesh ai ka emigruar familjarisht në Gjermani.

Pas investigimit rezulton se vjehrra e Gazmirit merr 57 mijë lekë të vjetra ndihmë ekonomike, duke i pjesëtuar me administratoren shoqërore të Kamzës, Dhurata Çali.

Pranë redaksisë së emisionit “Stop” ka mbërritur një denoncim për Gazmir Qemën, i cili ka hyrë në skemën e ndihmës ekonomike prej vitit 2014. Një vit më pas, ai ka emigruar sëbashku me familjen si azilkërkues në Gjermani, por kush e ka marrë ndihmën ekonomike?

Gazetarja e emisionit “Stop” tregon se familja Qema e ka pasaportizimin në Bathore, ndërkohë që banon në Valias të Ri. Ajo iu drejtua shtëpisë së vjehrrit të tij, Fatmirit, ku banonte Gazmiri me familjen, por duke qenë se nuk u përgjigj njeri, pyeti banorët e zonës nëse kanë informacion për këtë familje.

Banori 1

Gazetarja – Këtë Fatmirin këtu, e njeh ti?

Banori 1 – E kam komshi.

Gazetarja – Komshi. Arjona, Arjona…

Banori 1 – E ka gocë.

Gazetarja – Po, vajza e Fatmirit. Kam informacion që ka 3 vjet që ka ikur në Gjermani. Apo jo?

Banori 1 – E di, që kështu, ka ik atje. Po!

Gazetarja – Ka ikur në Gjermani?

Banori 1 – Kështu thuhet, di gjë unë…

Gazetarja – Kam marrë një listë këtu tek Bashkia për këto familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe një nga këto familje është edhe familja e këtij Gazmir Qemës. Di gjë nëqoftëse janë aty, apo jo?

Banorja 2 – Jo, ajo nuk është aty!

Gazetarja – Ku është?

Banorja 2 – Ka 3 vjet që është në Gjermani ajo.

Gazetarja iu drejtua Zyrës së Ndihmës Sociale në Bashkinë e Kamzës për të verifikuar nëse Gazmir Qema është përfitues i ndihmës ekonomike, ku komunikoi me Durata Çalin, specialisten e Zyrës së Ndihmës Ekonomike.

Gazetarja – Ne kemi informacion për një familje në nevojë, donim të dinim: a merr ndihmë ekonomike?

Administratorja Shoqërore – Emrin…

Gazetarja – Gazi Qema.

Administratorja Shoqërore – Gazmir Qema?

Gazetarja – Po!

Administratorja Shoqërore – Si e ka emrin bashkëshortja?

Gazetarja – Arjona.

Administratorja Shoqërore – Arjana, jo Arjona e ka emrin.

Gazetarja – Ndoshta, kështu na ka ardhur informacioni.

Administratorja Shoqërore – Është familje me 5 anëtarë: Gazmir, Arjana është bashkëshortja..

Gazetarja – Po!

Administratorja Shoqërore – Kam qenë tek shtëpia…

Gazetarja – Po!

Administratorja Shoqërore – Dhe ato rrinë në një shtëpi dy-katëshe…

Gazetarja – Po!

Administratorja Shoqërore – Dy-katëshe e mbaruar, jo se dy-katëshe…

Gazetarja – Kuptoj! Me çfarë shume trajtohen?

Administratorja Shoqërore – 57 mijë lekë të vjetra.

Gazetarja – Shumë faleminderit për informacionin! Mirupafshim!

Administratorja Shoqërore, Dhurata Çali përballë gazetares së emisionit “Stop”:

Administratorja Shoqërore – Odeta! Përshëndetje!

Gazetarja – Interesohem për Gazmir Qemën, i cili përfiton ndihmë ekonomike si një familje në nevojë,ndërkohë që ndodhet azilant në Gjermani.

Administratorja Shoqërore – S’ka mundësi.

Gazetarja – Janë shpërngulur nga 2015 e deri më sot. Kush ka aplikuar për Gazmirin?

Administratorja Shoqërore – Ka ardhur vjehrra me një autorizim, ia kemi kaluar disa herë si autorizim, ndërsa verifikimi në familje nuk më takon mua si administratore e ndihmës që ta bëj për këtë familje. Nuk më takon mua sepse jemi të ndarë, njësia e Bathores ka pjesën tjetër, unë kam pjesën e Kamzës. Nuk di të të jap përgjigje se nuk është banori im! Nuk e kam në juridiksionin tim që ta kontrolloj.

Gazetarja – Çfarë do të ndodhë me këtë rast?

Administratorja Shoqërore – Do të thirret personi që ka tërhequr lekët nga posta dhe do t’i bëhet arkëtimi i gjithë shumës së tërhequr në mënyrë të padrejtë, sipas verifikimit që do bëhet nga ana e administratorëve.

Ndaj gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua Zyrës së Ndihmës Ekonomike Bathore, ku specialisti tha se kjo familje ka aplikuar për herë të parë për ndihmë ekonomike në vitin 2014.

“Ne kontrollojmë situatën e personave që aplikojnë pranë kësaj zyre, dalin fitues në sistem dhe nëse janë fitues, të paktën për 3 muaj rrjesht administratori bën verifikimet në terren, nëse përputhen gjendja sociale-ekonomike e deklaruar në sistem me realitetin. Përderisa kjo familje nuk rezulton që ka bërë deklarim 3 mujor pranë kësaj zyre, atëherë ne nuk bëjmë dot verifikim për një familje që nuk është kontigjent i kësaj zyre, pavarësisht se mund të jetë banor”.

Pas kësaj deklarate, nuk mbeti gjë tjetër veçse rikthimit në Zyrën e Ndihmës Ekonomike Kamëz, por specialistja Dhurata Çali nuk ndodhej, ndaj u telefonua për ta vendosur në dijeni.

Administratorja Shoqërore – Odeta!

Gazetarja – Pas intervistës që zhvilluam dje, vajta te Zyra e Ndihmës Ekonomike Bathore, ku ishte krijuar hapja e ndihmës ekonomike që në vitin 2014.

Administratorja Shoqërore – Po, po!

Gazetarja – Por pastaj nuk ishte paraqitur te zyra e Bathores, por ishte paraqitur këtu te ty, zyra e Kamzës.

Administratorja Shoqërore – Po, po!

Gazetarja – Vërtetë është banor në Bathore, por aplikimin e ka bërë tek ty. Pse më çove në Bathore kur e ka bërë aplikimin e ka bërë këtu dhe përgjegjësinë e ka Zyra e Ndihmës Ekonomike në Bashkinë Kamëz.

Administratorja Shoqërore – E ka dhe Bathorja se e ka banorin e vet, e ka dhe Kamza.

Gazetarja – Nuk e kishte pra, këtë jam duke të thënë.

Administratorja Shoqërore – Po tani ku e di unë se çfarë thotë Bathorja. Mirë, kur të vijë nga afër flasim…

Gazetarja – Nuk e kishte Bathorja sepse nuk rezulton aplikues.

Administratorja Shoqërore – E mirë, mirë!

Dhurata Çali ndërpreu telefonatën, duke lënë gazetaren duke i shpjeguar se çfarë iu tha në Zyrën e Ndihmës Ekonomike Bathore.

Gazetarja u shpreh se sipas specialistes së ndihmës ekonomike në Kamëz, aplikimi bëhet në Kamëz, ndërsa verifikimi në Bathore. Ndaj u rikthye në shtëpinë e vjehrrit dhe vjehrrës së Gazmir Qemës.

Vjehrra e tij, Rabie Mema tregoi se nuk e dinte që nuk duhej të merrte ndihmën ekonomike kur dhëndrri i saj me familjen nuk ndodhen në Shqipëri.

“Ato s’më kanë thënë asnjë gjë. Më kanë marrë lekë, i kam dhënë kartat. Asnjë gjë se do të ma kishin ndaluar. Ata janë në Gjermani s’ta mohoj. Të më thoshin këto që nuk të takon, mos hajde”.

E pyetur nga gazetarja se ku e paraqet deklarimin, ajo tha se gjithçka e ka bërë Dhurata Çali.

“Unë kam dhënë lekë kush ma ka lëshuar autorizimin. Ajo duhej të më thoshte që nuk lejohet dhe unë spostohesha. Unë kam marrë 30 mijë lekë në muaj”, ndërsa diferencën e ka marrë Dhurata Çali.

Moderatorët e emisionit “Stop” u shprehën se taksat tona duhet të shkojnë për familjet në nevojë dhe për përmirësimin e infrastrukturës së kopshteve dhe shkollave dhe jo të abuzohet nga “Dhuratat”.

Denoncimi i “Stop”, dorëhiqet nënkryetari i bashkisë, Kavajë.

Një ditë më parë emisioni “Stop” transmetoi rastin e nënkryetarit të Bashkisë së Kavajës, Përparim Çaça, i cili krahas detyrës së lartë, ushtronte dhe profesionin e avokatit, në kundërshtim me ligjin.

Menjëherë pas transmetimit të emisionit mësohet se Çaça ka dhënë dorëheqjen, duke vijuar punën si avokat. Këtë e konfirmoi edhe kryebashkiaku i Kavajës, Isa Sakja në një komunikim me gazetarin e emisionit “Stop”.

Kamera e fshehtë e emisionit “Stop” që shfaqi një ditë më parë shkeljet e Përparim Çaçës:

Qytetari – Kemi hartën e vjetër të komunës dhe atë letrën që na ka dhënë komuna atëherë. Kaq metra me kaq, kjo është prona e gjyshit filan fistekut, tani këta dalin me një pretendim, me një hartë tjetër pak më të re.

Përparim Çaça – Kush janë të tjerët?

Qytetari – Janë të lagjes.

Përparim Çaça – S’është puna e lagjes, sa janë 1, 2, 3? Sa janë? Sa veta janë?

Qytetari – 3… 3!

Përparim Çaça – Nuk e di! Ne jemi në ajër se unë nuk kam as letra, as shkresa, asgjë! Po nuk pashë letrat, po nuk pashë shkresat, kupton? M’i sill këtu dhe unë kam diçka që duhet ta vlerësoj edhe të them të takon, s’të takon sipas gjykimit tim, ë? Unë punoj: Më sill letrat, më sill shkresat t’i shikojmë edhe të them: Zotëri i nderuar, këtë e fitojmë, i hyjmë! Edhe kur i hyj, e di se i hyj se do fitoj, nuk kam kohë për të humbur.

Qytetari – Unë doja të dija a ma merr përsipër si çështje?

Përparim Çaça – Unë do ta marr vetëm kur të shoh letrat! Edhe hartat… hartat nuk është problem se zgjidhen, shikohen.

Qytetari – Po pra, po!

Përparim Çaça – Se unë jam edhe nënkryetar bashkie këtu edhe ato të Luzit atje i marr origjinale ça duhet dhe shohim realisht si janë gjërat.

Qytetari – Fiks pra!

Përparim Çaça – Nuk na ngordh këtu puna, problemi është që të shikojmë mirë gjërat. Në rregull?

Qytetari – Në rregull!

Përparim Çaça – Mirupafshim!

Pas kësaj kamere të fshehtë, ku shfaqej qartë me zë dhe figurë Përparim Çaça duke vijuar aktivitetin e avokatisë, nuk mbeti gjë tjetër veçse të përballej gazetari i emisionit “Stop” me të.

Gazetari – Nënkryetar bashkie me zyrë avokatie, ditë e martë, ora 02:00. Duhet të jesh në orarin zyrtar të punës.

Përparim Çaça – Po, tani po iki atje se isha vetëm thjesht këtu. Këtu nuk jam unë se është një zyrë tjetër, ka ardhur një avokat tjetër.

Gazetari – Ju s’merreni fare me çështje?

Përparim Çaça – Fare, fare! S’kam të drejtë! Absolutisht, është absolutisht është ligji. Absolutisht, nuk ka shanse, as në gjykatë, askund, nuk mundem dot, është me ligj. Absolutisht!

Unë që në momentin që kam qenë nënkryetar bashkie, licenca është e pa mundur! Thjesht kanë ngel ato… se do t’i heq. Absolutisht, mund të shkoni në gjykatë, të shikoni!

Gazetari i emisionit “Stop” u shpreh se sipas burimeve pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë, nënkryetari i bashkisë ka kryer pagesën e taksave për vitin 2018, pavarësisht mohimit nga ana e tij për vijimin e aktivitetit si avokat pas marrjes së detyrës si nënkryetar i Bashkisë Kavajë.

Sot, nëpërmjet një telefonate, kryetari i Bashkisë Kavajë, Isa Sakja tha se nënkryetari i këtij institucioni ka dhënë dorëheqjen nga posti publik, duke zgjedhur të vijojë aktivitetin e avokatisë.

“Absolutisht, rasti do shihet me detaje edhe në konform me ligjet, do të marr vendimet e mia. Megjithëse nga ana e zotit Çaça është një reagim që dje dhe ka kërkuar vetë që të largohet”.

Të Fundit