STOP-EMISIONI 129 (Sezoni 8) 2 Mars 2023- “Do i gjej e t’i kthej”, i riu i maskuar vjedh paratë e mobilerisë

Jemi në Fier, ku në 12 shtator 2022, në një biznes privat, ka ndodhur një vjedhje. Bujar Hoxha, pronari i një mobilerie ka edhe pamjet filmike, ku duket një person i maskuar, i cili futet nga një derë, hapjen e të cilës, vetëm punëtorët e dinë. Më pas ngjitet në zyrën lart, ku ka marrë 18 mijë euro dhe 11 milionë lekë. Të nesërmen pronari i biznesit ka njoftuar policinë, por nga kamerat, sipas policisë, ishte e pamundur, që të identifikohej autori.Bujari dyshon, se autor i vjedhjes është një djalë 17 vjecar, i cili kishte disa ditë, që po përpiqej të mësonte punën në biznesin e tij. Ai e ka marrë adoleshentin në zyrë e në një regjistrim, ky i fundit pranon, se ka vjedhur paratë.Në Drejtorinë vendore të policisë së Fierit, na thanë, se materialet janë referuar në prokurori, në datën 15 shtator 2022. Vetë Bujari u drejtua në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Fier, ku i thonë,se nuk ekziston asgjë për rastin në fjalë.

Dikur komshiu ishte ndër njerëzit më të afërt të një familjeje. Me komshinjtë shkëmbehej farë e kosi apo ndonjë produkt që mungonte.Por sot në cfarë niveli i kemi raportet me komshinjtë dhe a ia duam të mirën shokut, mikut e vëllait. Për këto kemi pyetur qytetarët e Tiranës, të cilët na kanë dhënë përgjigje plot humor.

Pak kohë më parë ishim në Byshek të Elbasanit. Nazif Myrta, 72 vjec, ishtë goditur me mjete të forta, teksa po kulloste bagëtitë, pranë shtëpisë. Autori, fqinji, Hamit Mehmetaj, duke pretenduar, se Nazifi po kulloste bagëtitë në atë, që ai e quan pronë të vetën, e rrahu dhe e goditi me kosore ferrash dhe me grushta, duke i carë nofullën e duke i dëmtuar dhëmbët protezë. Për pasojë, Nazifi nuk është në gjendje të kryejë aktivitetet e veta. Agresori është i lirë me detyrim paraqitje, akuzuar për vetëgjyqësi dhe plagosje të lehtë. Shumë fqinj e familjarë të tjerë kanë rënë pre e dhunës së Hamitit. Menjëherë pas transmetimit të këtij rasti, prokuroria e Elbasanit është vënë në lëvizje.Është ndërruar prokurori dhe kanë përfunduar hetimet. Dhunuesi rrezikon deri në dy vjet burg për “Plagosje të lehtë me dashje”.

Të Fundit