Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i është drejtuar me një letër publike ish zëvendës kryeministres dhe ish ministres Belinda Balluku, si drejtuese politike e qarkut Fier, që të mundësojë operacionin e këmbës në Tiranë.
Në letër, kryebashkiaku shkruan me ironi se Balluku duhet të jetë në dijeni nga vartësit e saj në IEVP Fier se ndodhet në paraburgimin me këmbë të thyer dhe ka nevojë që të hyjë në operacion.
“Siç dihet publikisht, por edhe nga vartësit tuaj në IEVP Fier, po e kaloj izolimin ku më sollët para 1 muaji, me një këmbë të thyer dhe nevojë akute për operacion – kjo të paktën nuk është “sekret”.”, shkruan ai.
Më pas, kryebashkiaku shprehet se kërkesat e tij drejtuar kryeministrit Edi Rama, ministrit të Drejtësisë Gogu dhe drejtoreshës së Përgjithshme të Burgjeve nuk kanë marrë përgjigje.
Duke ironizuar situatën, ai provokon kryeministrin dhe shkruan se, sipas asaj që i thuhet në burg, “hallin tënd e zgjidh veç Bela”.
“Është evidente ajo që thonë të gjithë këtu, se “Kryeministri është kot, nuk merr dot më asnjë vendim” dhe se “hallin tënd e zgjidh veç Bela”. Ndaj, po dorëzohem edhe unë si gjithë shqiptarët e socialistët e po vij tek ju në ditën e Pranisë Besnike.“, shkruan ai.
Në fund të reagimit, Veliaj i kërkon Ballukut të aprovojë transferimin për kryerjen e operacionit në Tiranë.
“Ju kërkoj të aprovoni operacionin tim në Tiranë, pranë mjekut tim dhe familjes sime.”
REAGIMI I PLOTE:
Znj. Balluku – Dr. e Qarkut Fier,
Siç dihet publikisht, por edhe nga vartësit tuaj në IEVP Fier, po e kaloj izolimin ku më sollët para 1 muaji, me një këmbë të thyer dhe nevojë akute për operacion – kjo të paktën nuk është “sekret”.
Kërkesat e njëpasnjëshme në qeveri tek KM Rama, Min. Gogu dhe drejtoresha e Burgjeve kanë rënë në vesh të shurdhër.
Është evidente ajo që thonë të gjithë këtu, se “Kryeministri është kot, nuk merr dot më asnjë vendim” dhe se “hallin tënd e zgjidh veç Bela”. Ndaj, po dorëzohem edhe unë si gjithë shqiptarët e socialistët e po vij tek ju në ditën e Pranisë Besnike.
Ju kërkoj të aprovoni operacionin tim në Tiranë, pranë mjekut tim dhe familjes sime.
Socialisti “me duar të lidhura”.
Erion Veliaj




