STOP-EMISIONI 116 (Sezoni 9) 12 Shkurt 2024- “S’e kemi në dorë”, pacienti nuk kurohet në QSUT, aparatura s’vihet në punë

Në këtë pjesë të emisionit sjellim rrëfimin e një pacienti të dëshpëruar, të cilit nuk i kanë mbetur më para, për të kuruar sëmundjen e tij. Ato, që pati kursyer, i shpenzoi për terapitë në spitale private. Në gjymtyrët e poshtme qytetari ka njolla, pasi është prekur nga “sarkoma kaposi”. Nëse nuk kurohet, njollat do t’i përhapen në gjithë trupin dhe shëndeti i tij do të jetë në rrezik. Denoncuesi tregon, se ka shkuar disa herë në QSUT, por i thonë, që është gati aparatura për problemin e tij, por nuk po e vënë në funksion. Drejtoresha e QSUT-së, Albana Fico, thotë, se Ortovoltazhi i ri ka ardhur, por po bëhet gati bunkeri, që të fillojë trajtimi.Sipas drejtoreshës, ky problem mbyllet brenda shkurtit. Ne kemi mësuar, se QSUT ka lidhur kontratë me një operator për rikonstruksionin e ambienteve të reja për ortovoltazhin më 26 tetor 2023 dhe parashikohej, që punimet të kryheshin për 6 javë, por kjo nuk ka ndodhur. Në Shqipëri numërohen cdo vit 6000 raste të reja me sëmundje tumorale, përfshirë edhe ato të lëkurës.KLSH në një raport të vitit 2023 kryer ne QSUT është shprehur se “ Pas daljes nga funksioni të pajisjes së vjetër, në 2 nëntor 2022, 200 pacientë, që janë të prekur nga tumori i lëkurës, nuk e kanë marrë shërbimin me radioterapi, duke rrezikuar jetën.

Historia e Gazmir Mucës, është njëra prej atyre, që dëgjojmë shumë mes të rinjve shqiptarë. Gazmiri një djalë 29 vjecar, i diplomuar me rezultate të shkëlqyera në Institutin Bujqësor për Inxhinieri pyjore. Por ai nuk ka gjetur dot asnjë mundësi, për t’u futur në tregun e punës. Gazmiri ka vendosur të qëndrojë në Shqipëri, me shpresën, se do të fitojë me ndershmëri një vend pune në profesion.Gazmiri tregon, se është interesuar me kërkesa zyrtare, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Sot ai punon si postier në një subjekt privat, por ajo, që do, është një punë në profesion.Punonjësja e AKZM-së i thotë Gazmirit, se aktualisht në këtë institucion nuk ka vende të lira pune.

Në një fshat të varfër në Kurbin, banorët rrezikojnë jetën cdo ditë, duke u detyruar të kalojnë në një të ashtuquajtur urë. Në fakt bëhet fjalë për një rrip betoni, mbi të cilin kalojnë automjetet si në një tra ekuilibri në një shfaqje cirku.

Të Fundit