STOP – EMISIONI 104 (SEZONI 2)

Alarmi i virusit të shpendëve në Europë nuk mbërrin në Shqipëri.
Mediat italiane kanë shkruar këto ditë për rikthimin e virusit të shpendëve në pjesën më të madhe të Europës.Organizata botërore e shëndetësisë ka dhënë alarmin maksimal për rrezikun e virusit H5N8, por një informacion i tillë nuk ka mbërritur në Shqipëri.”Stop” tregon me dokumente raste të tjera të mënyrës, sesi AKU, autoriteti përgjegjës për sigurinë ushqimore, “kujdeset maksimalisht” për shëndetin e konsuamatorëve. Më pas një video e dërguar nga qytetarët, ku mishi i pulës, përmban brenda fazoleta…

Rasti i rrallë i Nuri Cunit, dosja e pensionit “i hapet vetë”, që në 2005-ën.
Në vitin 2005 është hapur një dosje pensioni në emër të Nuri Cunit, pa dijeninë e vetë personit.Nuriu tregon, se trajtohej me ndihmë ekonomike nga viti 1992 deri në 2015, kur ia ndërpresin se i thonë, se ai merrte pension prej 10 vjetësh. Pas shumë sorollatjeve në dyer institucionesh e prokurori, sigurimet shoqërore deklaruan, se Nuri nuk kishte hapur dosjen në vitin 2005.Sigurimet pretendojnë, se pensioni është tërhequr nga e motra e Nuri Cunit, Nurije Kurti, duke lënë enigmë, se kush e hapi këtë dosje pensioni…?!

“Rilindja e shëndetësisë” dhe rasti i trishtë i vogëlushes Rea Goxhari.
Në këto ditë gripi “Stop” ka siguruar emailet e ministrit Ilir Beqaj për vaksinat.Por Rilindja e shëndetësisë është tashmë cdo ditë në retorikën e kryeministrit Rama dhe ministrit Beqaj. Sipas shtetarëve të lartë, atë nuk e shohin vetëm ata, që nuk kanë shkuar në spitale. Por “Stop” ka shkuar në QSUT dhe sjell historinë e trishtë të së miturës Rea Goxhari, e cila vuan nga një sëmundje e rrallë. E ëma, Enkelejda Goxhari apelon për ndihmë, në mënyrë që ta shpëtojë të voglën,që qëndron prej 6 muajsh në spital, duke e nisur jashtë shtetit.

Kronikë më e zgjeruar:

Emisioni “STOP”, që transmetohet në ekranin e Televizionit Klan, solli mbrëmjen e së martës historinë e trishtë të Reas, vajzës 12 – vjeçare nga qyteti i Tepelenës, e cila vuan nga një sëmundje e rrallë, e quajtur karsinoma renale. E ëma, Enkelejda Goxhari apelon për ndihmë, në mënyrë që ta shpëtojë të voglën, e cila qëndron prej 6 muajsh në spital. Kjo vajzë kërkon një specializim të mëtejshëm jashtë vendit, për t’i shpëtuar jetën. Kjo histori vjen në një kohë kur retorika e fjalive standarde të Kryeministrit dhe Ministrit të Shëndetësisë është se “Rilindja e Shëndetësisë” i ka bërë njerëzit të jenë më pozitivë nga shërbimet që marrin.

Ndërkohë, “STOP” ka siguruar email -et e Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj për vaksinat, i cili tërheq vëmendjen për aplikimin e vaksinës së gripit në këto ditë të ftohta, një problem që duket se e ka shqetësuar Ministrin. Po për Rean kush do të kujdeset? Kush do të indinjohet dhe shqetësohet? Kush do t’i kthejë një përgjigje kësaj vajze, që çdo ditë po lufton me jetën? Kush do t’ia kthejë buzëqeshjen dhe kënaqësinë për të shijuar edhe ajo si gjithë fëmijët e tjerë, adoleshencën e saj?

“Të nderuar kolegë,

Tërheqim vëmendjen për aplikimin e vaksinës së dërguar në janar të 2016 për popullatën dhe grupet në risk për mbrojtjen nga epidemia e gripit.

Më poshtë po rendisim rrethet që kanë shqetësuar personalisht ministrin e Shëndetësisë, z. Beqaj, për ecurinë negative të % së aplikimit të dozave.

Informacion nga ISHP- ja deri në 14 janar 2017:

Durrës 33%, Kruja 52%, Librazhdi 52%, Fieri 46%, Mallakastra 8.8%, Gjirokastra 29.3%, Tirana 30% etj.”

Nëna e Reas rrëfen se, prej gjashtë muajsh ndodhet bashkë me të bijën në spital, pa mundur të marrë mjekimin e nevojshëm, për shkak se askush nuk di t’i japë mjekimin e duhur.

“Kam gjashtë muaj këtu në këtë spital dhe asnjëherë nuk bëri diçka, që ajo vajzë të bënte mjekim. Jo sepse nuk donin, por sepse nuk dinë. Rean unë atje lart e kam lënë me kriza të forta dhe i kërkova ndihmë shtetit, z. Kryeministër, por nuk deshi. Për Rean unë thjesht kërkoj ndihmë, që edhe ai fëmijë 12 vjeç të mund të jetojë e të mund të vazhdoj jetën dhe të shkoj tek vëllai i saj. Zoti Kryeministër nuk të kërkova ndihmë, që t’i ushqej këta dy fëmijë sepse duart i kam me kallo. Të kërkova ndihmë thjesht t’i shpëtoje jetën një fëmije dhe këtë gjë ti nuk e bëre.”

Ironia e fatit është që shteti turk ofron shërbime për njerëz që kanë nevojë si Rea, por duket se të tilla kontrata rrinë të mbyllura në zyrën e ministrit. Rea nuk kërkon asgjë tjetër veçse shërimit, për të shkuar të takojë vëllain e saj.

Të ka marrë malli për shokët dhe shoqet?
Po.

Të kanë ardhur të të vizitojnë?
Nuk munden sespse janë shumë larg.

Çfarë të mungon më shumë?
Vëllai.

Çfarë kërkon?
Të shërohem.

Jeta mund të përplasë fort dhe ashpër cilindo nga ne, por për Rean duhet të lindë një rreze shprese nga ana e instancave përkatëse dhe politikave sociale, e jo të mbeten fjalët boshe nëpër konferencat luksoze.

Të Fundit