SPAK hap një tjetër çështje ndaj Arben Ahmetajt/ Akuzohet për privatizimin e ish-fabrikës së bukës

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i shpallur në kërkim për aferën e inceneratorëve, është vënë sërish në hetim nga SPAK për një tjetër dosje për të cilën është ngritur akuza e “Shpërdorimit të detyrës”. Bëhet fjalë për dosjen e privatizimit të ish-fabrikës së bukës në rrugën “5 Maji” në kryeqytet, procesi i të cilës është realizuar në kohën kur Ahmetaj ka qenë ministër i Financave.

Tv Klan ka mësuar se ndonëse akuza për ish-zëvendëskryeministrin është ajo e “Shpërdorimit të detyrës”, ky procedim po hetohet edhe për vepra të tjera penale. Nga sa mësohet, krahas Ahmetajt deri tani në hetim janë vënë 8 persona të tjerë ish-zyrtarë dhe jo vetëm, si dhe një subjekt.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se ish-zëvendëskryeministri ka dyshime se ka favorizuar në ankand kompaninë fituese për privatizimin e ish-fabrikës së bukës, në të cilën sot është ndërtuar një qendër tregtare. Dëmi ekonomik i përllogaritur lidhur me këtë procedurë privatizimi arrin në vlerën 7 miliardë Lekë të vjetra.

Hetimet e SPAK, që vunë sërish nën akuzë ish-zëvendëskryeministrin nisën në bazë të kallëzimit të trashëgimtarëve të truallit të cilët kanë fituar të drejtën e rikthimit të tij.

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka reaguar lidhur me akuzën e re të ngritur nga SPAK, teksa nga arratia përmes një postimi në Facebook, Ahmetaj shkruan se një segment i organizuar po tenton të ndërtojë tek figura e tij, “delen e zezë”, përtej kokës së vërtetë të zezë të kopesë.

Më tej ai sfidon këdo të hapë dosjen e privatizimit të ish-fabrikës, për të cilën pretendon se nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore.

Ish-numri 2 i qeverisë u shpall në kërkim ndërkombëtar në Korrik 2023 për çështjen e inceneratorëve.

Të Fundit