Sot injektohen dozat e para të vaksinës anti-COVID në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se duke nisur nga e hëna do të nisë procesi i vaksinimit anti-COVID në Shqipëri.

Lajmi u bë i ditur dje nga vetë Rama përmes një postimi në rrjetet sociale.

Por, kryeministri nuk ka dhënë detaje se sa doza kanë mbërritur në vend deri më tani, apo se kush do të vaksinohet gjatë ditës së hënë.

Qeveria shqiptare ka lajmëruar se deri më tani janë porositur 500 mijë doza nga kompania Pfizer.

Sipas planit të hartuar stadiumi “Air Albania” do të shërbejë si qendra ku do të kryhet procesi i vaksinimit.

Fillimisht do të jenë mjekët dhe grupet më të rriskuara ata që do të marrin të parët vaksinën, ndërsa më pas pjesa tjetër e popullatës.

Sa i takon situatës së COVID në vend, në 24 orët e fundit fatkeqësisht 8 qytetarë nuk e kanë mundur të fitojnë betejën me Covid-19, duke çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 1241 që nga fillimi i pandemisë.

Ndërkohë, 562 është numri i të infektuarve ditorë, të cilët kanë rezultuar pozitivë nga 3000 teste të kryera.

Situata në spitale paraqitet e qëndrueshme, pasi të shtruar janë 274 pacientë, mes të cilëve 23 në gjendje të rëndë.

Të Fundit