Sot Ditë Zie Kombëtare, Shqipëria nderon viktimat e aksidentit tragjik në Greqi

Flamuri shqiptar ulet sot në gjysmështizë në shenjë homazhi për aksidentin tragjik me 57 viktima në Larisa të Greqisë.

Qeveria shqiptare ka vendosur ta shpallë 5 marsin ditë zie kombëtare, ndërsa aksidenti i rëndë hekurudhor i mori jetën edhe katër shtetasve shqiptarë.

Pjesa më e madhe e viktimave nga përplasja e trenit të pasagjerëve me një tren industrial ishin vajza dhe djem në moshë të re, studentë që ktheheshin nga Athina drejt Selanikut.

Trenat u përplasën në Tempi të Larisas, ku dy prej vagonave të parë shpërthyen në flakë.

Tre vajza, një djalë 24-vjeçar dhe një 64-vjeçar punonjës në tren, të gjithë shqiptarë, janë mes viktimave.

“Sot Shqipëria nderon me një Ditë Zie Kombëtare viktimat e tragjedisë së aksidentit të tmerrshëm hekurudhor në Larisa, duke u bashkuar simbolikisht me Greqinë mike, me familjet greke dhe shqiptare që humbën të dashurit e tyre në këtë tragjedi, duke ulur flamurin tonë kuq e zi në gjysëm shtize”, shkruan deputeti socialist Taulant Balla.

Të Fundit