Kamera e fshehtë e emisionit “Stop” tregoi, mbrëmjen e së martës, sesi sillej mësuesja e shkollës “100 Vjetori i Pavarësisë” në Kamëz, Mine Hasani, në orën e mësimit me fëmijët e klasës së katërt. Dhuna fizike dhe verbale ishin rituali i përditshëm i saj.
Nga pamjet e transmetuara, mësuesja Hasani shfaqej duke i goditur fizikisht nxënësit, si dhe duke përdorur gjuhë fyese, kërcënuese dhe degraduese ndaj tyre. Në një monitorim prej më shumë se një jave, rezultoi se shprehjet si “ta plas kokën”, “ta mbys fare”, “idiote”, “kafshë”, “zero jeni” ishin mënyrë sjelljeje për mësuese Minen.
Menjëherë pas transmetimit, Ministria e Arsimit ka ngritur një grup pune për të marrë në shqyrtim rastin e dhunës së përsëritur fizike dhe verbale të mësueses Mine Hasani.
Mësuesja në fjalë është shkarkuar menjëherë nga puna, ndërsa rasti është referuar në Njësinë për Mbrojtjen e Fëmijës dhe në Policinë e Shtetit.
Nga ana tjetër, grupi i punës po analizon edhe veprimet apo mosveprimet e hallkave të tjera të shkollës, drejtorit apo psikologut.
Për rastin skandaloz të shfaqur me zë dhe figurë ka reaguar me një video edhe ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro.



