Në ambientin politik vijojnë akuzat dhe replikat në adresë të kreut të bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Vetë Dako tha pak ditë më parë në “Opinion”, se i ka duart akullore. Por “Stop” sjell në vëmendje një investigim të Qershorit 2015. Në atë kohë u provua manipulimi i listës së votuesve në Durrës me banorë të shtuar në pallate ende në ndërtim, apo në garazhe.
“Partia Demokratike ka ditë që del në deklarata për shtyp dhe kërkon që arrestimin e Vangjush Dakos, me pretekstin, edhe sipas përgjimeve telefonike, që ka manipuluar zgjedhjet e fundit për bashki në Durrës. Dikush nga ata që e njeh Vangjushin tha se mori 15 mijë vota. Në këtë mënyrë që do ju tregoj sot, jo 15 mijë, por unë marr edhe 150 mijë…”, tha drejtuesi i emisionit Stop, Saimir Kodra.
Ndërsa Gentian Zenelaj, tha se gjatë investigimit që ata kishin bërë në një televizion tjetër në 2015, “Durrësi doli me 1 200 000 banorë.”
“Nuk po zgjatem fare…ka qenë në garë me Grida Dumën për Kryetar Bashkie. Ne nxorëm dy tre elementë të vegjël. Se si në pallate ende të pandërtuara, ishin regjistruar 150 banorë që do të votonin. Sigurisht, jo për Grida Dumën në atë rast, do të votonin për Vangjush Dakon”, tha Saimir Kodra.
Gentian Zenelaj: Ai kishte futur 150 banorë në pallate të banuara, jo më të pabanuara.
“Nëpër garazhe të prishura, në lulishte flinin njerëzit për të votuar Vangjush Dakon”, tha Kodra, duke risjellë për teleshikuesit investigimin e bërë në vitin 2015.