Shuhet në moshën 81-vjeçare poeti i këngëve, Jorgo Papingji

Jorgo Papingji, shkruesi i disa prej teksteve më në zë në muzikën shqiptare është shuar në moshën 81-vjeçare. Ai ka ndërruar jetë ditën e sotme në spitalin e Sanatoriumit.

Papingji në karrierën e tij të gjatë si tekstshkrues, numëron mbi 4000 poezi të mirëfillta, përkthyer në melodinë e tingujve muzikorë.

Ai është një nga emrat më përfaqësues të muzikës shqiptare, qoftë popullore, të përpunuar apo asaj të lehtë, ku me anë të teksteve të shumta, të shtrira në kohë prej dyzet e ca vitesh në të gjitha Festivalet e RTSH-së dhe në audicionet e tjera muzikore për të rritur e fëmijë, ka krijuar një profil krejt të veçantë poetik e artistik.

Emri i tij është një emër i mirënjohur e i nderuar, që iu thotë aq shumë adhuruesve të këngës, në të gjitha moshat dhe nivelet e shoqërisë shqiptare.

Bashkëpunimi i parë i Jorgos si autor teksti ka qenë me kompozitorin e shquar Aleksandër Lala në këngën që bëri aq shumë bujë në atë kohë “A ta fshij apo ta gris”; ishte një këngë për fëmijë, që aso kohe ngjalli shumë reagime pozitive dhe emocione estetike.

Papingji, ishte dekoruar me titullin “Mjeshtri i Madh” nga Presidenti i Republikës.

Të Fundit