Shtëpia pa dritë e Dritëroit, degradon banesa muze në Menkulas, gati projekti, mungojnë fondet

Në fshatin Menkulas aty ku lindi dhe jetoi Dritëro Agolli sot nuk ka asnjë gjurmë të tij.

E vetmja ndërtesë që u projektua për të qenë shtëpi-muze sot është kthyer në një ndërtesë të harruar, ku banorët kryejnë detyrat e tyre personale.

“Këtu ka hedhur një lopatë llaç edhe Dritëroi vetë. Pastaj siç bëhen këto lëvizjet e pushteteve nuk ka pasur dashamirësi që të ndërtohet kjo” , u shpreh Jani Begolli, koordinator i “Shoqata Devolli”.

Sami Begolli ndihet i lodhur nga çdo gjë dhe nuk ka besim se dikush do e ndërtojë përsëri këtë ndërtesë, ndërkohë nga shpirti i dalin disa fjalë rebeluese.

Po mos e kishte Menkulasi Dritëronë, atëherë do ishte si tërë fshatrat e tjerë. Nuk do vinit as juve, as presidenti, as kryeministri as me radhë, si të duan le të bëjnë, unë po bej punën time”, tha Sami Begolli.

Një tjetër mik i shkrimtarit, Avni Hoxha tregon se një figure të shquar si Dritëroi nuk po i jepen vlerat e duhura.

Të bëhet kjo sa jam unë gjallë do të shkoj i ngopur në atë bote, sepse shoku i mirë i imi dhe i tërë fshatit dhe i gjithë Shqipërisë nuk po gjen vendin e merituar”, tha zoti Hoxha.

Eduart Duro, kryetar i bashkisë Devoll shprehet se projekti për rindërtimin e kësaj ndërtese është gati, por bashkia e Devollit nuk ka buxhetin për ta financuar.

E deri kur ministria në Tiranë të hedhë sytë drejt këtij fshati në Devoll, kjo ndërtesë do të vazhdojë ende të tregojë se Dritëroi i madh nuk po vlerësohet ashtu siç duhet.

Të Fundit