Shqipëria ulet në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në OKB. Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se, Shqipëria merr një tjetër rol ndërkombëtar.
“Shqipëria ulet në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në OKB. Dje, 123 vende anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së votuan pro Shqipërisë, si një prej 15 vendeve që do të ulen në KDNJ nga 1 janari 2024 deri në 31 dhjetor 2026”, theksoi Rama, i cili publikoi edhe emrat e 15 anëtarëve të rinj të KEDNJ.
Objektivi kryesor i Shqipërisë, si anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut do të jetë të punojë brenda Këshillit dhe sistemit të Kombeve të Bashkuara për të garantuar respektimin universal të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, për të gjithë individët pa diskriminuar askënd.
Vendi ynë do të bashkëpunojë ngushtë me shtetet e tjera anëtare të OKB-së, përfaqësues të shoqërisë civile dhe gjithë partnerët për zbatimin e këtyre angazhimeve.
Këshilli, i cili është i ngarkuar me përgjegjësinë për të mbrojtur dhe avancuar të drejtat e njeriut në nivel global, përbëhet nga 47 shtete anëtare të zgjedhura me votim të fshehtë nga shumica e anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme.