Ka nisur viti i ri akademik në Shkollën e Magjistraturës, ndërsa Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi ka përcjellë një mesazh për kandidatët e rinj për magjistratë, avokatë të shtetit dhe ndihmës ligjorë.
Në fjalën e tij, Sadushi u ndal te përgjegjësia që mbartin profesionet e drejtësisë dhe te rëndësia e formimit profesional për brezin e ri që do t’i shërbejë sistemit të drejtësisë.
Sipas tij, drejtësia nuk duhet të vlerësohet vetëm nga vendimi përfundimtar, por edhe nga mënyra se si qytetari dëgjohet, si respektohen palët dhe si arsyetohet vendimmarrja.
“Për ju që do të bëheni gjyqtarë, pavarësia nuk është privilegj, por garanci e qytetarit. Ajo dëshmohet veçanërisht kur vendimi i drejtë nuk është vendimi më i lehtë, më popullor apo më i përshtatshëm.
Për ju që do të bëheni prokurorë, autoriteti që ju jep ligji duhet të shoqërohet me objektivitet dhe përgjegjësi. Fuqia e akuzës nuk qëndron te ashpërsia e saj, por te drejtësia e saj.
Për kandidatët për Avokaturën e Shtetit, mbrojtja e interesit shtetëror nuk duhet kuptuar si mbrojtje mekanike e çdo qëndrimi të administratës. Ligjshmëria është vetë një interes themelor i shtetit”, tha Sadushi ne mesazhin e tij.
Duke iu referuar reformës në drejtësi, Sadushi theksoi se Shqipëria ka investuar shumë në reformimin e sistemit, por asnjë reformë nuk mund të jetë më e mirë se njerëzit që e zbatojnë atë.
“Shkolla duhet t’ju japë jo vetëm dije, por edhe hapësirën për të pyetur, për të kundërshtuar me argument dhe për të formuar mendim të pavarur. Institucionet ku do të shërbeni nesër duhet të mbrojnë meritën, profesionalizmin dhe integritetin, në mënyrë që të ketë vazhdimësi ndërmjet asaj që mësohet këtu dhe asaj që zbatohet në praktikë.
Mos e humbni kureshtjen profesionale. Mos e konsideroni asnjëherë dijen të përfunduar. Ligji ndryshon. Jurisprudenca zhvillohet. Shoqëria transformohet. Edhe drejtësia duhet të ketë aftësinë të kuptojë kohën në të cilën vepron, pa humbur parimet mbi të cilat qëndron”, tha ai.
Fjala e plote:
I nderuar zoti President i Republikës,
I nderuar Drejtor i Shkollës së Magjistraturës,
Të nderuar drejtues të institucioneve të drejtësisë, kolegë, pedagogë dhe të ftuar,
Të dashur kandidatë për magjistratë, për avokatë të shtetit dhe ndihmës ligjorë,
Çdo fillim viti akademik në Shkollën e Magjistraturës është një moment gëzimi, por edhe përgjegjësie. Për ju që nisni sot këtë rrugëtim, është fillimi i një etape të re, i formimit për profesionet dhe funksionet që nesër do t’ju ngarkojnë me përgjegjësi të rëndësishme ndaj qytetarit dhe shoqërisë.
Ju keni kaluar një proces të vështirë përzgjedhjeje dhe keni të drejtë të ndiheni krenarë për atë që keni arritur. Hyrja në këtë Shkollë është një arritje, por prova e vërtetë do të jetë ajo që do të ndërtoni mbi këtë arritje.
Shkolla e Magjistraturës nuk përgatit vetëm profesionistë të mirë të së drejtës. Ajo formon profesionistë, të cilëve nesër do t’u besohen përgjegjësi të rëndësishme që të gjykojnë, të ushtrojnë akuzën në emër të shtetit, të mbrojnë interesin publik dhe të kontribuojnë në dhënien e drejtësisë.
Sa më e rëndësishme të jetë kompetenca që ligji i njeh një funksioni publik, aq më e madhe është përgjegjësia për mënyrën se si ajo ushtrohet.
Drejtësia nuk matet vetëm nga vendimi që merret. Ajo matet edhe nga mënyra se si dëgjohet qytetari, si respektohet pala, si arsyetohet vendimi dhe si ushtrohet përgjegjësia publike.
Prandaj, formimi në këtë Shkollë nuk mund të kufizohet te njohja e kodeve, ligjeve, procedurave apo jurisprudencës. Ligji duhet njohur shumë mirë, por kjo nuk mjafton. Duhet të formohet aftësia për të menduar juridikisht, për të dalluar thelbësoren nga dytësorja, për të mos u kënaqur me përgjigjen më të lehtë, për të arsyetuar përpara se të vendoset.
Mbi të gjitha, duhet të mos harrohet se pas çdo dosjeje ka njerëz, interesa, liri, pasuri, familje, reputacion dhe, jo rrallë, fate njerëzore.
Kjo përgjegjësi nuk është vetëm e juaja. Është edhe e jona, e pedagogëve, drejtuesve dhe institucioneve të drejtësisë. Ajo që presim nga ju duhet të gjejë mbështetje edhe në mënyrën se si ne vetë punojmë, arsyetojmë, dëgjojmë dhe sillemi në ushtrimin e detyrës.
Brezi i ri nuk formohet vetëm nga ajo që i thuhet në auditor, por edhe nga ajo që sheh në institucionet ku nesër do të shërbejë.
Secili prej profesioneve për të cilat do të formoheni në Shkollën e Magjistraturës, i jep kësaj përgjegjësie një përmbajtje të veçantë.
Për ju që do të bëheni gjyqtarë, pavarësia nuk është privilegj, por garanci e qytetarit. Ajo dëshmohet veçanërisht kur vendimi i drejtë nuk është vendimi më i lehtë, më popullor apo më i përshtatshëm.
Për ju që do të bëheni prokurorë, autoriteti që ju jep ligji duhet të shoqërohet me objektivitet dhe përgjegjësi. Fuqia e akuzës nuk qëndron te ashpërsia e saj, por te drejtësia e saj.
Për kandidatët për Avokaturën e Shtetit, mbrojtja e interesit shtetëror nuk duhet kuptuar si mbrojtje mekanike e çdo qëndrimi të administratës. Ligjshmëria është vetë një interes themelor i shtetit.
Ndërsa ju, ndihmësit ligjorë të së ardhmes, do të ushtroni një profesion që ndoshta nuk është gjithmonë i dukshëm për publikun, por që është thelbësor për cilësinë e drejtësisë. Një analizë e saktë, një kërkim i thelluar dhe një argument i mirë juridik mund të ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e një vendimmarrjeje.
Pavarësisht profilit që keni zgjedhur, ka diçka që ju bashkon të gjithëve: do t’i shërbeni së drejtës dhe, përmes saj, qytetarit.
Kjo është arsyeja pse Shkolla e Magjistraturës duhet të mbetet një vend ku nuk transmetohet vetëm dije, por formohet një kulturë profesionale, kulturë e pavarësisë së mendimit, e integritetit, e përgjegjësisë, e argumentit dhe jo e autoritetit, e respektit për tjetrin dhe jo e arrogancës së funksionit.
Kam pasur privilegjin ta njoh këtë Shkollë në role të ndryshme përgjatë viteve. Kjo përvojë ma ka forcuar bindjen se misioni i saj shkon shumë përtej auditorëve. Cilësia e drejtësisë së nesërme fillon, në një masë të rëndësishme, nga cilësia e formimit që bëhet sot këtu.
Prandaj, edhe kërkesa ndaj jush duhet të jetë e lartë, por po aq e lartë duhet të jetë edhe kërkesa ndaj nesh.
Shkolla duhet t’ju japë jo vetëm dije, por edhe hapësirën për të pyetur, për të kundërshtuar me argument dhe për të formuar mendim të pavarur. Institucionet ku do të shërbeni nesër duhet të mbrojnë meritën, profesionalizmin dhe integritetin, në mënyrë që të ketë vazhdimësi ndërmjet asaj që mësohet këtu dhe asaj që zbatohet në praktikë.
Mos e humbni kureshtjen profesionale. Mos e konsideroni asnjëherë dijen të përfunduar. Ligji ndryshon. Jurisprudenca zhvillohet. Shoqëria transformohet. Edhe drejtësia duhet të ketë aftësinë të kuptojë kohën në të cilën vepron, pa humbur parimet mbi të cilat qëndron.
Po aq e rëndësishme është vetëdija për peshën e pushtetit publik. Ushtrimi i tij nuk duhet të kthehet në rutinë, sepse vendimet që merren prekin të drejta, interesa dhe, jo rrallë, vetë jetën e njerëzve. Ligji ju jep kompetencën. Karakteri juaj do të përcaktojë mënyrën se si do ta përdorni.
Të dashur kandidatë, Shqipëria ka investuar shumë në reformimin e sistemit të drejtësisë, por, në fund, asnjë reformë nuk mund të jetë më e mirë se njerëzit që e zbatojnë atë.
Ju po hyni në institucione prej të cilave qytetarët presin drejtësi, siguri juridike dhe besim. Dhe ky besim nuk kërkohet dhe as nuk shpallet. Ai fitohet, vendim pas vendimi, sjellje pas sjelljeje, çdo ditë.
Ju uroj që vitet në Shkollën e Magjistraturës t’ju japin dije, por edhe vetëdijen se ajo duhet gjithmonë të thellohet; t’ju japin siguri profesionale, por jo vetëkënaqësi; ambicie, por jo arrogancë; kurajë për të vendosur, por edhe urtësi për të dëgjuar.
Mbi të gjitha, ju uroj që formimi që nisni sot t’ju bëjë profesionistë të zotë dhe të vetëdijshëm për përgjegjësinë që do të mbani, sepse, në fund, besimi te drejtësia ndërtohet nga mënyra se si ajo ushtrohet çdo ditë ndaj qytetarit.
Ky është edhe misioni më i rëndësishëm i kësaj Shkolle: të formojë profesionistët që do t’i japin drejtësisë shqiptare cilësi, integritet dhe besueshmëri.
Mirë se vini në Shkollën e Magjistraturës.
Ju uroj një vit të mbarë akademik dhe një rrugëtim profesional të denjë për përgjegjësinë që keni zgjedhur të merrni përsipër.



