Shisnin drogë në doza në Elbasan, 3 të arrestuar

Në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Tempulli” janë goditur 4 raste të shitjes së lëndëve të ndryshme narkotike në doza në Elbasan.

RASTI 1: Policia njofton se në lagjen “Visarjon Xhuvani” është kapur në flagrancë me doza kanabisi me vete qytetari me iniciale F.J., i cili ishte dënuar më parë për vjedhje. Nga veprimet hetimore rezultoi se ai kishte fshehur në një kuti doza të tjera kanabisi me qëllim blerjen nga 2 persona të tjerë, me iniciale G.D. dhe B.S. Në lidhje me rastin, u arrestua 35-vjeçari F.J. dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për 31-vjeçarin G.D. dhe 29-vjeçarin B.S. Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan dozat e dyshuara të kanabisit.

RASTI 2: Në lagjen “Vullnetari”, u arrestua në flagrancë 34-vjeçari me iniciale J. K., pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet një sasi lënde e dyshuar kanabis e ndarë në doza të gatshme për shitje. Gjithashtu nga kontrolli në banesë, iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 thika të dyshuara vepra arti, të trafikuara.

RASTI 3: Në lagjen “28-Nëntori”, u arrestua në flagrancë 20-vjeçari me iniciale B. F. (i dënuar më parë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve), pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde kanabisi e ndarë në doza të gatshme për shitje.

RASTI 4: U referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 33-vjeçarin me iniciale D. D., pasi gjatë kontrollit fizik të kryer në lagjen “Visarjon Xhuvani” iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde heroinë e ndarë në doza të gatshme për shitje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Të Fundit